Grupi joformal i grave deputete në Kuvendin e Kosovës, që nga viti 2005, kur është krijuar, ka synuar kauza që prekin shoqërinë, të drejtat e njeriut dhe fuqizimin e rolit të gruas në nivel vendi.
Deputetët nga ky grup joformal, që përfshinë gratë e të gjitha subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës, thonë se krijimi i këtij grupi ka qenë i nevojshëm për shtyrjen përpara të disa agjendave që janë mbi çështjet politike dhe partiake.
Blerta Deliu – Kodra, pjesë e grupit joformal të grave deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se si grup kanë arritur të ngrisin kauza të shumta që kanë të bëjnë me fuqizimin e gruas në shoqëri, familje dhe vendimmarrje.
Një nga sukseset e këtij grupi, thotë Deliu Kodra, është blerja e mamografit mobil, i cili ishte vënë në shërbim të grave të cilat bënin falas kontrollin e gjirit e që si rezultat, ato besojnë se kanë shpëtuar shumë jetë.
“Përveç shumë fushatave sensibilizuese që prekin gratë dhe vajzat jemi mundur që të përçojmë mesazh të unifikimit të gruas e cila natyrisht në shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdon të ketë ende shumë probleme. Mamografi mobil ka qenë njëri nga projektet e suksesshme që me iniciativën e këtij grupi është blerë. Ky automjet i ka shërbyer kauzës së garave për kujdes më të madh për shëndetin tyre dhe ka ngritur vetëdijen në të gjitha komunat e Kosovës. Në atë kohë janë shpëtuar shumë jetë dhe misioni më i rëndësishëm që gratë të jenë të vetëdijshme për pasojat që mund të ketë sëmundja e kancerit është arritur”, thotë Deliu – Kodra.
Një kauzë tjetër, shton Deliu- Kodra që ky grup joformal i grave deputete ka pasur, janë viktimat e dhunës seksuale, ku sipas saj, është punuar për të thyer stigmën dhe që këto gra të trajtohen përmes ligjit që aktualisht i mbron dhe i trajton këto viktima.
“Një kauzë tjetër është kur gratë deputete kanë vendosur që të protestojnë për numër më të madh të grave ambasadore në misionet tona diplomatike. Ka qenë një protestë demostrative që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës dhe kemi arritur që në këto lista që kanë qenë shumë pak të përfaqësuara gratë të kemi një numër më të madh të grave në misionet diplomatike”, thotë Deliu – Kodra.
Gratë e këtij grupi joformal thonë se kanë dëshmuar që janë mbi kauzat e tyre politike dhe partiake dhe se kanë punuar në të mirën e të gjitha grave dhe vajzave të Kosovës.
Lirie Kajtazi, deputete në këtë grup joformal të grave nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se ky grup është një forum që bashkon të gjithë zërat e grave në përpjekjet e tyre për të arritur barazi, në të cilën siç thotë ajo, Kosova ka mangësi si shoqëri.
Grupi joformal i grave deputete, thotë ajo, ekziston për faktin se shumë probleme që prekin gratë, një subjekt politik i vetëm nuk e ka fuqinë që t’i shtyjë.
“Ne kemi avancuar mjaft me ligjet, kemi ngecur prapa me ekzekutimin e tyre. Prandaj, duke përfshirë të gjithë spektrin politik, kapërcen përtej politikës ditore apo bllokadave që nganjëherë na ndodhin në pozitë dhe opozitë. Por, jemi në një kauzë të përbashkët, kërkojmë llogari nga ekzekutivi i cili çalon në arritjen e barazisë dhe shumë projekte të tjera që na afrojnë më afër edhe nivelit lokal. Kemi projekte ku kemi qenë më afër, qoftë asambleistëve, shoqërisë civile, apo botës akademike përgjithësisht. Thjesht është një forum që bashkon gjithë zërat e grave në përpjekjet tona për të arritur barazi, në të cilën çalojmë shumë si shoqëri”, thotë Kajtazi.
Ajo shton se kanë arritur që monitorojnë zbatimin e ligjeve ku preken gratë dhe janë mundur që këto ligje të mos mbeten vetëm në letër, por të zbatohen.
“Prandaj, ne kemi dashur që këto ligje të cilat i kemi vendosur në letër në momente të caktuara t’i kalojmë barrierat politike dhe të insistohet në respektimin e ligjeve. Por, edhe në nisma të shumta, në nisma të ndryshme, në komunikimin me jashtë po ashtu, Grupi i Grave (deputete) është mjaft i ftuar dhe prezantohet edhe në forume rajonale dhe është një zë më i fortë i të gjithave bashkë dhe kemi pa se ka dhënë efektin e vet”, thotë Kajtazi.
Përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave në vazhdimësi kanë theksuar se dhuna fizike ndaj gruas, papunësia si dhe përfaqësimi i ulët i grave në pozita vendimmarrëse janë vetëm disa nga problemet thelbësore me të cilat përballen gratë në Kosovë.
Vetëm në periudhën janar – tetor të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare në Kosovë ishin evidentuar mbi 1130 raste të dhunës në familje, ku viktima kryesisht janë gratë.
Sa i përket punësimit sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm 12 për qind e femrave në Kosovë punojnë. Ato që gëzojnë një vend pune, punojnë kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë, shëndetësisë si dhe në administratën publike.
Pozitat e larta vendimmarrëse në shumicën e institucioneve shtetërore të Kosovës i mbajnë kryesisht burrat, duke filluar nga Qeveria. Nga 21 ministra në Qeverinë aktuale të Kosovës, vetëm dy ministri udhëhiqen nga gratë./REL