Kur futesh në një muze e di se do të përballesh me një mori objektesh të ndryshme, secila prej të cilave mbart në vetvete veçori karakteriste, pasi kjo është dhe arsyeja se pse është zgjedhur të ekspozohet aty. Ndërkohë hyrja në një shtëpi të shndërruar në muze të jep një impakt jo të vogël. Ngado rrethohesh nga objekte të periudhave të ndryshme historike, secila me specifikat e saj të veçanta, me larminë e ngjyrave, punimeve, me vlerat artistike dhe kulturore që zënë një vend të veçantë në kolanën e artë të trashëgimisë kulturore të vendit tonë. Këtë impakt befasues më dha hyrja në shtëpinë e koleksionistit të njohur shijakas, Lulzim Perati. Nga që të kthehesha isha e rrethuar me objekte të madhësive, formave, ngjyrave dhe periudhave të ndryshme historike. Objektet e trashëgimisë kulturore i gjen kudo në këtë shtëpi të vjetër shijakase. Në mungesë të vendit dhe për shkak të sasisë mjaft të madhe të tyre sendet prej bakri, bronzi dhe furkat kanë mbuluar pjesë të konsiderueshme të dyshemesë, ndërkohë punimet më delikate në qelq, porcelan ose në dru si pjatanca, bomboniera, shandanë, por dhe librat etj mbushin tavolinat dhe mobiljet, këto të fundit duket që janë punim i vjetër dhe me mjaft vlerë.
Edhe muret nuk kanë ngelur pas. Sapo futesh në dhomën e pritjes nuk ka sesi të mos të të shkojnë sytë tek flamuri kombëtar i vendosur mes shumë pikturave të piktorëve Faja, me të cilët krenohet Shijaku. Çdo pëllëmbë e tyre është mbushur me piktura dhe ora muri. Megjithëse thotë se nuk koleksionon piktura Perati i ka mbushur muret e koridorit e dhomës së pritjes me dhjetëra prej tyre, kryesisht punime të piktorëve shijakas. Po ndërsa për korridorin dhe sallonin e pritjes është mjaft e përshtatshme proverba popullore: “Nuk ka vend ku të hedhësh mollën”, të njëjtin fat “kanë pësuar” dhe dhomat e tjera të shtëpisë. Secila prej tyre është shndërruar në një mini muze ku koleksionohen veshjet popullore të grave dhe burrave nga të gjitha trevat e Shqipërisë, stolitë, qostekët, kartëmonedhat (këto të fundit janë pasion i djalit të Lulzimit), kartolinat etj.
Gjithçka në këtë shtëpi është një gjurmë e vogël e trashëgimisë së pasur kulturore të popullit tonë, gjithçka flet për pasionin këmbëngulës të Lulzimit, për të mbledhur me kujdes objekte interesante dhe për të ngritur një koleksion vërtet mbresëlënës, fama e të cilit që i ka kaluar kufinjtë e Shqipërisë. Lulzimin e njoha në fillim të këtij viti kur ekspozoi në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” veshjet e grave dhe të burrave, të shoqëruara me stolitë përkatëse, qostekët dhe furkat. Ndërsa bisedoja me të për koleksionin që dispononte më tregoi se ruante rreth 1000 kartolina dhe fotografi të vjetra, të cilat ende nuk janë bërë publike për artdashësit dhe specialistët e kësaj fushe. Ishte kureshtja për të parë këto foto që më shtyu t’i bëja një vizitë Lulzimit në shtëpi, për të parë nga afër këto kartolina dhe fotografi që dokumentojnë ngjarje, vende, qytete dhe personazhe historike që sa kanë lënë pak apo shumë gjurmë në historinë e vjetër dhe të re të vendit tonë. Ndërsa nisi të koleksiononte që në moshën 9-vjeçare libra shqip pasioni tek Lulzimi erdhi duke u zgjeruar për t’u përqendruar tek stolitë e grave shqiptare me të cilat Lulzimi ka një koleksion mjaft të pasur.
Kartolina që flasin më shumë se fjalët
Ndërsa tashmë teknologjia dhe mjetet e informimit kanë arritur majat, duke e realizuar komunikimin në kohë reale, shumëkush prej nesh, sidomos ata të brezit të dytë dhe të tretë ndjejnë mungesën e letrave e kartolinave që shkëmbeheshin mes njerëzve që ishin larg njëri tjetrit. Një urim për ditëlindje, për vit të ri, një kartolinë me panorama nga vende të ndryshme apo me foto të ngjarjeve apo personazheve historike përbënin për shumë njerëz një kënaqësi të veçantë që dukej sikur u jepnin më tepër gjallëri festave. Ndërsa tashmë interneti ka thyer barrierat e çdo kufiri virtual ose real përmes letërkëmbimeve të thata elektronike, kartolinat e dikurshme ruanin në vetvete gjurmë të personit që e kishte dërguar dhe atij që e merrte. Shumë prej kartolinave të Lulzimit kanë dedikime nga pjesa e prapme e tyre të shkruara nga persona të njohur apo të panjohur për shumëkush nga ne, duke mbartur kështu veç elementit historik dhe artistik edhe një pjesë jete, mendime dhe përjetime të personave konkretë, ndjesitë e tyre emocionale në momentin e shkrimit. Ndërsa përpiqem t’i deshifroj shumë prej tyre, pasi në disa raste shkrimi herë herë i pakuptueshëm apo i dëmtuar për shkak të efektit kohë nuk më lejon një lexim të rrjedhshëm të tyre, Lulzimi më ndihmon të zbardh kuptimin e tyre.
Duket qartë se ai u ka kushtuar atyre mjaft kohë për të kuptuar jo vetëm vitet kur janë shtypur dhe studiot që i kanë botuar, por edhe domethënien mes rreshtave të shkruara herë herë me shkrim të kujdesshëm e herë herë të nxituar. I ka mbledhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga personat që i kanë pasur ato në arkivat familjare apo nga të ashtuquajturit tregtarë të këtyre dëshmive të trashëgimisë sonë kulturore. Me syrin e tij prej koleksionisti Lulzimi e di vlerën e secilës prej tyre, por siç thotë dhe vetë ai shumë prej personave që i kanë ato nuk dinë t’i vlerësojnë. Gjithashtu këtu ndikon edhe fakti se çdo objekt merr më tepër vlerë kur bëhet pjesë e një koleksioni e jo kur është i vetëm. Duke qeshur Lulzimi më tregon se një pjesë të fotove i ka gjetur edhe në tregun e gjërave të vjetra në Tiranë. “Shpesh persona të caktuar nuk ngurojnë të kontrollojnë edhe mes mbeturinave dhe kur gjejnë gjëra të tilla që shfaqin interes për ne koleksionistët i nxjerrin për shitje. Ata i marrin nga mbeturinat që njerëzit i kanë hedhur dhe habiten me në “të çmendurit” që i blejmë me para”,- thotë ai. Ndërsa i nxjerr shumë prej fotove dhe kartolinave nga albumi për t’i parë më me kujdes më habit fakti që pjesa më e madhe e tyre janë të ruajtura në gjendje të mirë.
Disa prej tyre janë bosh, por shumë të tjera përmbajnë dedikime nga më të ndryshmet. Më tërheq vëmendjen një foto e bandës së shkollës françeskane të Shkodrës e vitit 1926 e cila në pjesën e prapme të saj është shkruar as më pak a as më shumë, por nga këngëtarja shumë e njohur shqiptare Tefta Tashko Koço. Është një kartolinë të cilën ajo ia ka adresuar të ëmës e ku e njofton se sapo ka mbërritur në qytetin verior, pasi u nis nga Durrësi. Ndërsa thekson se letra e djeshme e së ëmës e ka gëzuar shumë ajo e njofton se do të kthehet në Korçë javën e ardhshme. Përveç itinerarit që ka përshkruar këngëtarja e njohur nga kartolina del mjaft qartë edhe lidhja e ngushtë që nënë e bijë kanë me njëra tjetrën. Në atë kohë komunikimi i vetëm ishte përmes letrave dhe kartolinave dhe nënë e bijë duket se janë mjaft të dhëna pas tij. Në një kartolinë tjetër që më bën përshtypje e që Lulzimi më thotë se e ia ka marrë nipave të Nikolla Nakos, studiuesit, shkencëtarit, piktorit dhe përkthyesit të njohur, që la akademinë e Francës në vitet e para të çlirimit për të kontribuuar për rindërtimin dhe zhvillimin e vendit, por që në të vërtet u përndoq nga regjimi i kohës, vihet re portreti i një vajzë të bukur shqiptare të veshur si burrë. Duket se vajza brune me flokë të gjatë, e veshur me fustanellë, opinga me majë, qeleshe dhe me armët e ngjeshura në brez ka qenë një mikeshë e Nakos. Në fillim të kartolinës, në të majtë të vajzës është bërë një dediti, ku zbulohet edhe emri i vajzës që Nikolla e quan Dife. Megjithëse e veshur në mënyrë mashkullore ajo transmeton për studiuesin imazhin e një femre joshëse.
Njëzet-e-pesë gërsheta
Ti nëmërova kur fjeta! Moj Dife!
Kur më deljne në deriçka
Fësh! Fësh! Fësch! Bënte chamiçka!
Moj Dife!
Me këtë ndërthurje të këngëve të vjetra popullore të trevës së Korçës e miklon Nikolla Nako, Difen e tij. Një ide, sa origjinale aq dhe e veçantë, që e ka përjetësuar në letër vajzën e zemrës së tij. Siç rrëfen Lulzimi shumë prej fotove të asaj kohe të realizuar nga fotografë shqiptarë dhe të huaj stampoheshin më pas në formën e kartolinave dhe shpërndaheshin kudo brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shumë prej kartolinave, sidomos ato që përmbanin në foto ngjarje apo personazhe historike stampoheshin edhe jashtë shtetit, në Vienë, Paris, Romë e Bukuresht prej atdhetarëve shqiptarë e pastaj dërgoheshin në Shqipëri. Studiot fotografike më të njohura të kohës që stamponin edhe kartolina janë Marubi dhe Jakova në Shkodër, Maca në Tiranë, Lako në Paris, Kaçulini në Durrës dhe Tiranë, Papa në Korçë etj.
Kartolinat dëshmojnë historinë
Ndërsa më tregonte koleksionin e tij, Lulzim Perati, më thotë se një rëndësi të veçantë nnë koleksionin e tij u ka kushtuar figurave dhe ngjarje historike të pasqyruara në to. Për nga tematika kartolinat me portretin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu janë më të shumta në numër. Kjo ndoshta shpjegohet me faktin se heroi kombëtar përfaqësonte periudhën kur Shqipëria ishte e lirë dhe zot e fateve të veta. Të inspiruar nga kjo atdhetarët shqiptarë kërkonin të zgjonin sa më shumë ndërgjegjen kombëtare në ato vite kur fati i vendit tonë ishte ende në udhëkryq. Portret, mbi kalë në fushën e betejës apo në monumentin e ngritur në kryeqytet figura e Skënderbeut është marrë më së shumti nga gravura të kohës për t’u stampuar më pas në kartolina postare. Në kartolinat që u referohen personazheve që kanë shenjuar historinë e kombit tonë nuk kishte si të mungonte plaku i Vlorës, Ismail Qemali. Kartolina me portretin e tij mban edhe vulën e qeverisë së Vlorës. Madje dërguesi nuk ka shkruar në anën e prapme të saj, por dedikimin e tij për personin që po e uronte me rastin e 45 vjetorit të çlirimit e ka shkruar me bojë të kuqe poshtë fotos.
Ndërkohë koleksioni pasohet me figurën e princ Vidit apo atë të mbretit Zog me bashkëshorten e tij Geraldinë. Në disa kartolina nuk mungon as çmimi që në atë kohë ishte dy groshë. Në kartolina postare janë dokumentuar edhe fotot e bëra në ngjarje me rëndësi të veçantë historike për vendin tonë. Një dëshmi e kësaj është fotoja e realizuar në Trieste në kongresin shqiptar që mban emrin e qytetit ku u mblodh. Në foton e vitit 1913 paraqiten të gjithë pjesëmarrësit nga treva të ndryshme të vendit, që rreth 6 muaj pas shpalljes së pavarësisë u mblodhën në qytetin italian për të diskutuar për tematica kombëtare. Interesante është edhe kartolina që dokumenton një miting të madh mbajtur në Pogradec në vitin 1920 ku protestohej kundër Fuqive të Mëdha që po vendosin për fatin e kufijve shqiptarë. Kartolina përmban gjithashtu edhe një shënim anash fotos ku shkruhet data 26 mars 1955 dhe emri i marrësit Ibrahim Shyti, Vlorë. Në koleksionin e tij Lulzimi ka përfshirë kryesisht kartolina dhe foto të 60 viteve të para të shekullit të kaluar, nga 1900-1960. Ndërsa e pyes nëse ka lidhje vjetërsia e kartolinës me vështirësinë për ta gjetur Perati më tregon se jo gjithmonë funksionon kjo gjë. Duke u marrë prej shumë e shumë vitesh me këtë punë Lulzimi, por edhe koleksionistë të tjerë kanë konstatuar se periudhat e trazuara politike apo vitet kur ndihej më tepër kriza ekonomike janë vitet më të vështira për të gjetur foto e kartolina.
Duke qenë se në ato vite pjesa më e madhe e popullsisë ishte analfabete dhe fotografia konsiderohej ende si luks ishte e vështirë të shtypje kartolina e t’i hidhje në treg. “Vitet 1917-1921 janë ndër periudhat më të vështira për të gjetur kartolina. Po kështu vitet 1945-1947, periudhë kur sapo kishte përfunduar lufta nuk mund të flitet për kartolina e fotografi”,- thotë Lulzimi. Ndërkohë vitet pas 1912 deri në 1916 janë ndër më të pasurit përsa i përket larmisë së kartolinave, kjo dhe për faktin se vendi sapo kishte shpallur pavarësisë dhe atdhetarët kishin intensifikuar përpjekjet për zhvillimin e vendit dhe emancipimin e masave popullore. Krahas fotove dhe kartolinave nga ngjarjet dhe personazhet historikë koleksionisti shijakas ka mbledhur edhe shumë foto të vjetra qyteteve shqiptare si Durrësi, Tirana, Shkodra, Vlora, Gjirokastra, Berati, Shijaku etj. Ndërkohë pjesën më të madhe të koleksionit me rreth 600 ekzemplarë e përbëjnë kartolinat e realizmit socialist. Megjithëse shumë prej nesh i ka hedhur në koshin e plehrave ato Perati vazhdon t’i koleksionojë me fanatizëm. Ndoshta kartolina më e re në moshë e koleksionit të tij është ajo e tetorit të vitit 1995, kur me rastin e vizitës së presidentit të atëhershëm, Sali Berisha, në Kalabri u shtyp një kartolinë që ka në sfond flamurin tonë kombëtar dhe hartën e rajonit të Kalabrisë. Megjithëse është ndër kartolinat me moshën më të re ajo rezulton ndër më të dëmtuarat e kjo për faktin se sipas Peratit cilësia e letrës lë shumë për të dëshiruar, ndryshe nga kartolinat e hershme.
Udhëtimi rreth botës
Jo vetëm të huajt, por edhe shqiptarët kanë qenë eksploratorë. Këtë fakt e tregon më së miri kartolina që mesa duket është konceptuar dhe ideuar nga Dhimitre Allavano. Ky shqiptar kurioz kishte nisur një udhëtim rreth botës që në vitin 1931 dhe e vazhdonte deri në vitin 1946. Në kartolinën e veçantë, ku në qendër shihet portreti i Allavanos, shihen mjaft qartë edhe flamujt e vendeve dhe fotot e udhëheqësve të të gjitha shteteve që shqiptari kishte vizituar. Mesa duket këtë kartolinë ai e ka shtypur për të grumbulluar para nga shitja e saj, para që do të financonin vazhdimin e udhëtimit. Në pjesën e pasme të kartolinës Allavano ka shkruar ndër të tjera: Që nga viti 1931 jamë tue bërë xhiron e botës. Kamë shkue deri më sot nga Italia, Franca, Spanja, Greqija dhe tash nga Shqipërija. Nga Italija do të shkoj prapë me qëllim me anën e Napolit të vazhdoj për në Tinidhedhe së andejmi në të gjitha vendet e Asis, Afrikës, Amerikës dhe në fund të Australis. Thomë se do të mbaroj në vitin 1946… Pengimet dhe rreziqet gjat rrugës janë shumë… Me të mbaruarë do të përkthej veprën t’ime në gjuhët e të gjithë shteteve në të cilët do të shkoj. Ju lutemi të më ndihmoni për qëllimin t’im…..
Dedikim Difes
Studiuesi Nikolla Lako, pasi i ka shkrepur një foto mikeshës së tij, të veshur me kostum popullor burrash, e ka stampuar atë edhe në kartolinë. E veçanta e kësaj kartoline qëndron në dedikimin që Lako ka lënë për të dashurën e zemrës. Përmes vargjeve të këngës popullore del në pah dashuria dhe pasioni që ndjente ai për të. E veçanta tjetër e kësaj kartoline është dhe forma e dedikimit që në atë kohë duhet të mos ketë kaluar pa u vënë re dhe pa u komentuar në Shqipërinë ku mentaliteti i pjesës më të madhe të popullatës ishte ende shumë konservator ndaj temës së dashurisë.
Njëzet-e-pesë gërsheta
Ti nëmërova kur fjeta! Moj Dife!
Kur më deljne në deriçka
Fësh! Fësh! Fësch! Bënte chamiçka!
Moj Dife!
Kujtime nga lufta
Lulzimi numëron në koleksionin e tij më shumë se 10 foto nga lufta nacionalçlirimtare dhe pushtimi italian në vendin tonë. Ndërsa në fotot e shkrepura në kohën kur trupat italiane po marshonin në kryeqytetin shqiptar, të shoqëruara nga shikimet e mjaft banorëve tiranas, që kishin dalë në rrugë për të parë pushtuesit, në fotot e marra gjatë ditëve kur Shqipëria sapo ishte çliruar vihen re partizanët shqiptarë që i gëzohen ditës së fitores. Marshimet e triumfit shoqëruan shumë ditët e asaj periudhe, kur populli linte pas pesë vite pushtimi nga Italia fashiste dhe Gjermania e Hitlerit. Në njërën prej këtyre fotove, një nga personat që ka dalë aty ka lënë nga pas një shënim mjaft interesant që tregon mbresat e atyre që rrokën armët dhe dolën maleve për lirinë e atdheut. Dedikimi të ngjan me përmbajtjen e trakteve aq të përhapura gjatë viteve të luftës. “Kujtim nga lufta që bëmë në Tiranë. Aty shihet Tirana e prishur nga lufta Gjermano-Partizane. Populli kishte dy ditë që qarkullonte. Një jetë e re për popullin e Tiranës, jo si ajo e para, por sot; pa gjermanë e pa italianë. Henriko Sinica
P.s. Bashkë me shokët e jetës partizane. Me Gëzim Hasën, i plagosur