Ajo është bërë e njohur 30 vjet para se të bëhej Zonjë e Parë e SHBA-së. Melania Trump ishte vetëm 16 vjeç kur realizoi në Slloveni fotoalbumin e parë si modele. Melania fillimisht u zbulua nga fotografi slloven Stane Jerko, ndërsa po qëndronte ulur duke pritur shoqet e saj derisa të përfundonin një shfaqje mode.
“Ishte janari i vitit 1987 dhe u nisa për në shtëpi pak para se të përfundonte shfaqja e modës”, -ka thënë Jerko për “Today”. “Në shkallët e vendit ku po mbahej shfaqja, pashë një vajzë që menjëherë ma kapi syri. Ishte e gjatë, e hollë dhe tërheqëse me flokë të gjatë dhe sy të veçantë”.Kjo vajzë ishte Melania Knauss. Fotografi e ftoi atë në studion e tij për të provuar disa fotografi. Për seancën e tyre të parë foto, Knauss solli vetë veshjet dhe Jerko tha se fotot e saj të para ishin “shumë premtuese”. Ajo u kthye herën e dytë për të bërë foto dhe këtë herë si modele e veshjeve për një fabrikë tekstili sllovene. Me ato foto ajo filloi karrierën e saj si një modele profesioniste.