Një fenomen i ri në politikën shqiptare, i instaluar pas marrjes së drejtimit të PS-së nga Edi Rama, ka qenë prirja për drejtimin e degëve të selisë rozë (atje ku drejtojnë socialistët) nga ana e kryetarëve të bashkive. Dy shembujt më tipikë të këtij realiteti janë dy nga bashkitë më të mëdha dhe të rëndësishme në vend, ajo e Durrësit dhe ajo e Vlorës. Nëse shikon me kujdes jetën politike të degëve të rretheve, të bën përshtypje fakti se në këto degë fare pak njihen kryetarët aktualë të degëve, por më tepër njihen kryebashkiakët, që në një farë mënyre kanë kontribuar në vendosjen e kryetarëve të degëve. E thënë më thjesht, kemi kryetarë degësh në pozicionin kukull dhe kryetarë bashkish që në fakt dirigjojnë degët lokale. Një shembull klasik i funksionimit të këtij proçesi është Durrësi, ku, në një farë mënyre, kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, de facto është nr.1 i PS-së, në një kohë që tradita në fakt nuk ka qenë kështu. Po të kthehemi disa vite pas, në kohën kur PS-në e Durrësit e drejtonte Bardhyl Agasi apo dhe në kohën kur e drejtonte Gazmir Bizhga, kryetarët e degëve të PS-së kishin shumë më tepër kompetenca, shumë më tepër autoritet, shumë më tepër kontakte me njërëzit dhe shumë më tepër aksion politik. Për ta bërë të thjeshtë le të marrim shembullin e kohës kur PS-në e

Durrësit e drejtonte Gazmir Bizhga. Dega e Durrësit kishte një aksion tepër intensiv si në drejtim të bërjes opozitë në parametra lokalë, ashtu dhe në drejtim të qenies afër me simpatizantët, median dhe qytetarët në përgjithësi. Pavarësisht se  drejtuesit aktualë të PS-së në Durrës janë djem të mirë dhe të respektuar, fare pak kanë qenë pjesë e aksionit politik opozitar në qytet, pasi imazhi i drejtuesve lokalë sfumohet nga figura e kryebashkiakut. Në fakt, në Durrës, është z.Dako që de juro bën detyrën e kryetarit të bashkisë, ashtu si bën dhe de facto detyrën e kryetarit të degës së PS-së së rrethit. Që në mandatin e tij të parë, z. Dako, si një figurë me parametra qytetare dhe e pranueshme jo vetëm për militantët, por dhe nga një pjesë e pavendosur e elektoratit, e mori shpejt rolin e kreut të degës. Kujtoj këtu një rast domethënës kur PS-ja protestonte në autostradë kundër qeverisë dhe më pas protestuesit ju drejtuan komisariatit të policisë së Durrësit për të kundërshtuar shoqërimin e disa militantëve. Ishte pikërisht Vangjush Dako, që, me ndikimin e tij direkt, qetësoi njerëzit dhe ndryshoi drejtimin e precipitimit të situatës.

Një rast i sipërfaqshëm ky për të kuptuar rolin e z.Dako tek PS-ja. Shikoni reagimet e tij politike si në rastin e moratoriumit për skafet apo çështjes së importit të plehrave. Në të dyja këto raste reagimi politik ka ardhur direkt nga kryebashkiaku. Për ta vërtetuar akoma dhe më tej këtë mjafton që të shikojmë edhe përbërjen e strukturave të degës së PS-së në Durrës, ku mbështetës të z.Dako i dominojnë ato. Duke u nisur nga ky fakt, duhet analizuar dhe çështja nëse kjo është një gjë e mirë për PS-në, apo është një handikap me pasoja politike. A mund të bëjë një kryebashkiak rolin e një kryetari partie dhe a mund të jetë një kryetar partie një formalitet i kryebashkiakut? Kjo është një çështje që ha debat për disa arsye dhe faktorë. Ka një opinion sipas të cilit qënia e Vangjush Dakos në rolin e kryetarit të bashkisë është diçka pozitive, pasi kjo i jep mundësinë atij të jetë më afër njerëzve të PS-së, si përsa i përket halleve dhe problemeve të tyre, ashtu dhe përsa i përket mundësive për zgjidhjen e tyre. Ai është një potencial njerëzor dhe ekonomik për partinë. Një kryebashkiak mund të ketë më tepër mundësi për vende pune apo ndere të tjera për të kënaqur kërkesat e përkrahësve. Po sipas këtij opinioni një kryebashkiak si z.Dako që është dhe në hierarkinë e PS-së (anëtar kryesie), ka një peshë më të madhe ndikimi në strukturat lokale.

Ndërkohë ka dhe një opinion tjetër sipas të cilit dyfishimi i funksioneve të një kryebashkiaku zbeh rolin e tij, veçanërisht në pjesën politike. Të bësh punë partie nuk është aq e thjeshtë. Të bësh punë partie duhet të qëndrosh 24 orë non stop në shërbim të faktorit opozitar, gjë që vështirë që mund ta bëjë një kryebashkiak. Po kështu sipas këtij opinioni, një kryebashkiak mund të zgjidhë problemet e një pjese të përkrahësve, por sigurisht elektorati është shumë më i madh dhe qejfmbetjet janë të pashmangshme. Gjithsesi janë dy opinione të kundërta që hanë debat. Ish drejtues të PS-së në Durrës, si Bardhyl Agasi për shembull, mendojnë se një kryetar bashkie pavarësisht punës së tij të përkushtuar, nuk mund të bëjë punën e një kryetari dege të PS-së. Gjithsesi fakti është fakt. Qytete të tilla të rëndësishme si Durrësi, Vlora etj. drejtohen nga kryebashkiakë që de facto drejtojnë dhe partinë. Të dy këta kryebashkiakë (në rolin dhe të kryetarëve të degëve) fituan zgjedhjet lokale, por a do të bëjnë të njëjtën gjë me zgjedhjet e përgjithshme? A mund të mbahen realisht dy kunguj në një sqetull? Kjo mbetet për t‘u parë. Ndoshta rezultati i zgjedhjeve të ardhshme do të vërtetojë nëse kjo skemë funksionon. Gjithshka mbetet për t‘u parë.