Durrësi, ky qytet që jo më kot cilësohet si qyteti i betonit, po shkatërrohet dita-ditës nga ndërtimet pa kriter dhe mbi të gjitha në ato zona ku është rreptësisht e ndaluar që të ndërtohet.

Një tjetër rast skandaloz po ndodh sot në qendër të qytetit, ditën për diell, e pikërisht në zonën arkeologjike A.

Përballë Rotondës, kur ngjitesh për në rrugicën te hotel “Lido”, këtë mëngjes fadromat kanë shkatërruar një objekt, pasi aty do të ndërtohet një tjetër objekt dykatësh, duke mos respektuar kështu ligjet në fuqi dhe distancat e ndërtimit.

Pasi hodhën në tokë objektin e vjetër, pas 3 orësh punë, makineritë kanë nisur të mbledhin inertet për të krijuar hapësirën e nevojshme që të nisin menjëherë punimet.

Por çfarë nuk shkon me këto punime?

Së pari, këtu bëhet fjalë për zonën arkeologjike A të qytetit, në të cilën sipas ligjit për trashëgiminë kulturore, thuhet se “Në zonën e mbrojtur “A”, nuk lejohet asnjë punim nëntokësor dhe mbitokësor përveç shtresave rrugore”.

Nga burime të brendshme brenda bashkisë së Durrësit, “DurrësLajm” mëson se është pikërisht bashkia ajo që i ka dhënë leje pronarit të këtij projekti që të ndërtojë në këtë zonë, duke dalë kështu në kundërshtim të hapur me ligjin në fuqi, në një kohë që ende nuk është aprovuar plani urbanistik. 

Së dyti, siç shihet nga fotot që publikon “DurrësLajm”, kur nisi shkatërrimi në mëngjes, punonjësit e firmës kishin vendosur edhe tabelën përkatëse që duhet të përmbajë të dhënat se çfarë do të ndërtohet, kohëzgjatja e punimeve etj. Por nuk dihet se për çfarë arsyesh, tabela u zhduk më pas dhe nuk ndodhet më aty.

Skandalet e njëpasnjëshme që po ndodhin në këtë qytet antik tregojnë qartazi se arkeologjia në Durrës po shkatërrohet gati në mënyrë të pariparueshme.

Në Durrës është një kaos i vërtetë dhe në fund për qytetarët ka vetëm një mesazh të qartë se: kush të mundet dhe ka ‘fuqi’ bën çfarë t’i dëshirojë zemra duke shkatërruar hapësirën publike për qëllime vetjake.