Nga Mila Ballhysa
Një 17-vjeçar u vetëhodh nga pallati në Durrës dhe gjeti vdekjen
Martini 14-vjeçar u ther me thikë, ndërsa miku i tij, Luisi është ende në spital prej plagëve të 4 thikave.
Një student 19-vjeçar mbeti i plagosur me thikë në Tiranë.
Një 32-vjeçar u plagos me thikë në Durrës nga 2 vëllezër.
5 ditë pas krimit që tronditi gjithë Shqipërinë, babai i Luisit zbulon se ka qenë edhe një tjetër 14-vjeçar që ka goditur me një tjetër thikë.
Një javë me një bilanc tragjik në Durrës e Tiranë, me ngjarje rrëqethëse të konsumuara jo në zona periferike por në qendēr të dy qyteteve kryesore të vendit.
Këmbanat po bien fort për një shoqëri që ka humbur busullēn e vlerave dhe sensin e orientimit drejt të mirës, edukimit dhe kulturës.
Ngrihet lart i forti, dhunuesi, mashtruesi, servili, ndërsa i miri struket edhe më shumë në strofkullën e tij përballë arrogancës së pushtetarit, kriminelit.
Për të ringritur sistemin e vlerave, që e gjithë shoqëria jonë ka kontribuuar që të zhbëhen, propozimi perlë vjen nga kryeministri: Të mbyllet Tik-toku dhe Snapchat-i!
Llumin që shoqëria jonë e ka ngritur në piedestal do na e largojë bllokimi i rrjeteve sociale. 😂😂😂
Në 30 vitet e fundit në vendin tonë kanë ndodhur vrasje absurde për një: “Pse më pe?” apo për një gardh ndarës. E për to s’mund të fajësohet Tik-toku apo cilido rrjet tjetër social.
Ku po shkojmë? Çfarë shoqërie të antivlerave po krijojmë? Cilat janë shkaqet që po rriten adoleshentē e të rinj të pritur drejt dhunës, drejt pasurimit të shpejtë, drejt kultit të të fortit e kriminelit?
“Pa ju ndërru truni këtij populli”,- thoshte vite përpara at Zef Pllumi,- “nuk kemi sesi të mendojmë me hy në Evropë”
E pra, truni nuk “ndërrohet” duke blloku rrjetet sociale!
E provuam për 45 vite me rradhë si shoqëri të mbylleshim, të izoloheshim, të bllokonim çdo lidhje me jashtë, të qëndronim larg shfaqjeve të huaja. Fituam Njeriun e Ri të realizmit socialist, që sa u hapën kufinjtë ia mbathi nga sytë këmbët nga ky vend dhe përqafoi disa nga veset më të këqia të shoqërive kapitaliste, që aq shumë i kishim anatemuar për gati 5 dekada me radhë.
Të gjithëve na kujtohet skeçi i njohur i estradës së Durrësit, ku interpretonin aktorët shumë të dashur për publikun Fadil Hasa, Muharrem Hoxha dhe Roland Koço, ku një nga djemtë e familjes i thotë babait të vet: Ndershmëria, virtyt i budallenjve!
Një shprehje që mbetet mjaft aktuale edhe në shoqërinë tonë, pasi mes morisë së politikanëve të korruptuar, kriminelëve që kanë vënë milionat me trafik droge, shfrytëzim prostitucioni etj, të paaftëve që e duan fort partinë dhe kanë mbushur administratën, një pjese të mësuesve apo drejtorëve të shkollave që nga ana profesionale lënë mjaft për të dëshiruar, i ndershmi, intelektuali, i edukuari, profesionisti, i shkolluari ndihen si “peshku pa ujë”, kur kërkojnë që përmes meritokracisë t’u njihen vlerat intelektuale dhe aftësitë profesionale si në vendin e punës, ashtu edhe në shoqëri.
Nëse mpirja e pjesës së shëndoshë të shoqërisē sonë do vazhdojë, kēmbanat që ranë këto ditë për të pafajshmit, do të vazhdojnë të bien!