TIRANË-DURRËS, 16 korrik 2013 – Ndërsa në portin e Durrësit pritej qysh në muajin maj një anije që do të ngarkonte 55 mijë tonë mineral hekur-nikeli, më 3 dhe 10 qershor 2013 ndërmarrja publike në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës “Albminiera Sha” njoftonte anulimin e tenderit të stoqeve të hekur-nikelit e kromit për shkak se zyrtarë të dikasterit ia kishin “dredhur” dhe kishin bërë vetë tender pa e njoftuar ndërmarrjen vartëse!
Ja ç’thuhet në njoftimin zyrtar të botuar në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik të Këshillit të Ministrave
“Autoriteti kontraktues “Albminiera” sha njofton anulimin e procedurës së ankandit publik me objekt: “Shitjen e stoqeve të mineralit të hekur-nikelit dhe stoqeve të mineralit të kromit” të depozituara në zonën industriale mineral-nxjerrëse në Pogradec dhe Përrenjas” me vlerë fillestare 95 048 dollarë pa TVSH, i ndarë në lote .
Arsyeja e anulimit të këtij ankandi është se një pjesë e këtyre stoqeve janë nxjerrë në ankand më përpara, pa dijeninë e “Albminiera” Sha, nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës”.
“Dyrrah”-u zbuloi se “Albminiera sha” kishte shpallur njoftim ankandi për stoqe hekur-nikeli dhe kromi, që duhej të bëhej më 28 maj 2013 (shih faksimilen), por që u anulua, nëpërmjet njoftimit të 3 qershorit 2013 (shih faksimilen).
Bëhet fjalë për një sasi 21 713.44 tonësh hekur-nikeli me vendndodhje në zonën industriale mineral-nxjerrëse në Pogradec dhe Përrenjas.; kjo sasi do të shitej me çmim fillestar 34 741.504 dollarë ose 1.6 dollar për një ton!
Po ashtu do të tenderoheshin dhe dy stoqe kromi po në këto dy zona industriale, njëri prej 245.41 tonë dhe 2070 tonë, me çmime fillestare përkatësisht 4 417.38 dollarë (8,4 USD/toni) dhe 55 890 dollarë (27 USD/toni).
Këto “mosmarrëveshje” nuk janë vetëm tregues të rrëmujës administrative në organet më të larta të shtetit shqiptar, por mund të shihen dhe si tregues korrupsioni, në “lojërat” me çmimet për fituesit e ankandeve.
Nga ana tjetër, ajo që ka ndodhur në METE, është reflektuar dhe në vonesat për transportin në drejtim të portit të Durrësit dhe mandej për në Kinë (hekur-nikeli).
Qysh në prill, nga ana e Autoritetit Portual Durrrës (APD) u njoftua se do të vinte anija “SSI Glorious”, që do të ngarkonte 55 mijë tonë mineral hekur nikeli për eksport në kalatën 11 (flamur i Ishujve Marshall, viti i ndërtimit: 2012, prodhuar në kantier kinez, me pronar firmën “Blue Adventure Seatrade” po në Ishujt Marshall, kurse menaxhere është firma
“V.ships Group”, Monaco).
Por vetëm më 16 korrik 2013, ora 17:30 në klatën 11 u aksotua një tjetër anije e prodhimit kinez “Heilan Rising”, që po ngarkon 55 mijë tonë mineral hekur-nikeli, sipas APD-së (flamur panamez, vit prodhimi 2012, Kinë, pronar dhe menaxher shteti kinez).
Info/
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njofton se ndërmarrja publike “Albminiera sha” është krijuar në nëntor 2007 me urdhër Ministri, ndërkohë që është regjistruar qysh në shtator 2017.
Krijimi i saj është bërë në funksion të realizimit të objektivit “Riorganizimi i shoqërive dhe ndërmarrjeve minerare në likuidim”, duke bërë evidentimin e të gjitha strukturave ekzistuese shtetërore në fushën minerare dhe për të rritur eficensën e administrimit, duke i bashkuar në një njësi.
“Albminiera sha” ka nën administrim 12 ndërmarrje minerare ish-shtetërore
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





