NGA: Aleksandër Cangonja

Ndryshimet politike të viteve “90 në vendin tonë sollën dhe krijimin e shumë organizmave jo shtetërore të cilat mendoheshin se do i vinin në ndihmë profesioneve të ndryshme. Një prej tyre është dhe tentativa për krijimin e shoqatës së detarëve në vendin tonë. Nga sistemi i kaluar ishte trashëguar një industri e madhe e fushës detare, të cilat hasën probleme serioze në momentin kur ekonomia kaloi në një treg të lirë. Privatizimet e ndërmarrjeve, dhe mjeteve detare sollën një kolaps në sektorin detar dhe institucionet që lidheshin me atë, duke filluar nga Kantieri Detar i privatizuar nga një kompani polake, po ashtu dhe falimentimi i flotës tregtare detare me privatizimin dhe amortizimin me shifra fiktive të anijeve të flotës. Gjithsesi një grup detarësh, nga qyteti i Durrësit më 23 dhjetor të vitit 1994 i dërgojnë një kërkesë Ministrit të Industrisë, Transportit dhe Tregtisë ku i kërkojnë apo i marin leje që të krijonin dhe ata një shoqatë për një funksionim sa më të mirë të flotës tregare dhe asaj të peshkimit.

Më poshtë kërkesa:

“MINISTRISE INDUSTRISE TRANSPORTIT TREGTISE
ZOTI MINISTER
KËRKESË
Një grup detarësh durrsakë, me një ndjenjë të plotë mirkuptimi me detarët e porteve Sarandë, Vlorë, Shengjin të interesuar për ruajtjen dhe funksionimin normal të Flotes Tregtare Shqiptare dhe asaj te peshkimit, mendojme te krijojme Shoqaten e Detareve Shqiptare. Mendojme se kerkesa jone do te miratohet, sipas proçedurave juridike si shoqate jopartiake dhe me qellim themelor sherbimin dhe perparimin e detarise se kombit si dhe ruajtjen e te drejtave e te personalitetit te detareve te çdo moshe. Ligji qe lejon te krijohen keto shoqata eshte ligji nr.2362, date 16.11.1956, neni 1-8.

    Emri           Mbiermi      Profesioni        Vjetersia   Firma
  1. Mustafa Kajmeni OF.Navigator 12 vjet
  2. Sadik Biduli Nastromo 35 vjet
  3. Hajrulla Kruja Nastromo 38 vjet
  4. Viron Sadiraj Kapiten 25 vjet
  5. Bashkim Sukniqi Nen.Flote 35 vjet
  6. Adrian Fesati Marinar 12 vjet
  7. Ali Shyti Mekanik 25 vjet
  8. Mihal Nako Kapiten Peshkim 40 vjet
  9. Dashamir Janina Kapiten Mjet. Detar 40 vjet
  10. Sotiraq Prifti K.Mekani Biga Madhe 30 vjet
  11. Adem Allushi Nostromo Veteran 45 vjet
  12. Fatos Hyka Elektromekanik 25 vjet
  13. Sali Alushi Kapiten 45 vjet
  14. Syrja Kafexhiu Nostromo 40 vjet
  15. Avdi Lima Marinar 30 vjet
    Adresa: Sadik Biduli Lagja 16 Rruga Koço Kazanxhi Ap. 933 Durres

Mustafa Kajmeni Lagja 12 Rruga 9 Maj Ap.370 Hyrja 5 Durres”

Sëbashku me kërkesën dhe firmat e detarëve për krijimin e shoqatës, detarët i kanë dërguar Ministrit gjithashtu dhe statutin i cili ishte si më poshtë:

“STATUTI I SHOQATËS SË DETARËVE SHQIPTARË
-Organizata shoqërore që nuk ndjekin qëllime politike. Ligji nr. 2326, dt. 16.11.1956, neni 1-8.
1 – Emri: Shoqata e detarëve shqiptarë

2 – Qëllimi i Shoqatës:
A-Ruajtja dhe zhvillimi i flotës tregtare shqiptare, vazhdim i traditave më të mira të flotës për ta bërë atë të njohur në nivele ndërkombëtare.
B-Ruajtja e lirisë dhe dinjitetit e të së drejtës së detarit shqiptar, të personalitetit të tij.

3 – Mënyra me të cilën do të arrihet ky qëllim:
A- Me një kërkesë korrekte në përputhje me ligjet e shtetit juridik.

B- Do të përdorë: konferencat, aktivet, ballafaqimet, ekspozitat që mbartin punën e flotës, të teknikës së saj, historikisht e në vijimësi, debatim argumentues, kur ka shkelje të kontratave dhe ligjeve, protestë me shkrim protestë në shtypin qendror.

4 – Organi administrativ i Shoqatës:
Këshilli drejtues i zgjedhur me votë të fshehtë është organ nga varen antarët e Shoqatës.

5 – Qendra e Shoqatës
Durrësi – zyra në flotë
1- Në shoqatë marin pjesë të gjithë detarët pa kufizim moshe dhe vjetërsie në punë, ideje apo seksi, që pranojnë statutin e shoqatës.
2- Pjesmarrësit në Shoqatë i detyrohen një kuotë mujore, të përcaktuar unanimisht prej 30-50 lekë të reja.
3- Çdo anëtar i Shoqatës ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, ka të drejtën e fjalës së lirë më shtyp brenda dhe jashtë shtetit, të mbrojë të drejtat e detarit sipas ligjeve në fuqi.
4- Burimet e mjeteve materiale të Shoqatës do të jenë: Kuotizacioni dhe ndoshta në të ardhmen Ministria e Detarisë.
5- Shoqata mer përsipër në bashkërendim me Ministrinë të sugjerojë për drejtuesit më të zotë flotës dhe anijeve të mëdha.
6- Shoqata mer përsipër të organizojë lidhje dhe shkëmbime reciproke me shoqatat analoge brënda dhe jashtë vëndit.
7- Shoqata e gjen me vend mendimin e saj të përcaktuar saktë për specilizime të fushave të ndryshme të detarisë, kualifikime jashtë shtetit.
8- Kush bazë për hyrjen në Shoqatë:
a- Të jetë një detar i zoti, i përkushtuar, me ndjenjë të lartë përgjegjësie për punën.
b- Të gëzojë respekt shoqëror për marëdhenie korrekte shoqërore, familjare e ligjore.
c- Shoqata do të ndihmojë familjet e detarëve në raste sëmundjesh e fatkeqësishë në punë.
d- Që të krijohet kjo Shoqatë duhet të firmosin mbi 10 vetë.

Këshilli drejtues ka kompetencë gjithë veprimtarinë e anatarëve të saj administrativ, kritik si dhe propagadistik.

Mesazhi i shoqatës:

  • Liria, dinjiteti, punësimi i detarëve në luftë me burokracinë, hipokrizinë, egoizmin, korrupsionin e padrejtësinë.

Kjo shoqatë ka në përbërje të saj rreth 8000 vetë.
Durrës, 17-12-1994.”

Gjithsesi përgjigja e Ministrisë së Industrisë, Transportit dhe Tregtisë do vinte më 5 janar 1995 drejtuar njërit prej detarëve që kishin nënshkruar kërkesën e krijimit të shoqatës Z. Sadik Bidulit. Më poshtë përgjigja e Drejtorit të Personelit të Ministrise së Industrisë, Transportit dhe Tregtisë Z. Drin Pelushi.
“Persa beni fjale ne kerkesen tuaj per te miratuar krijimin e “Shoqates se Detareve te Shqiperise” ju njoftojme se me futjen ne fuqi te ligjit Nr. 7850 date 27.09.94 “Per kodin civil te Republikes se Shqiperise”, kjo e drejte i takon gjykates se rrethit ku do te funksionoje kjo shoqate.”