Nga qyteti bregdetar i Vlorës ku ndodhet prej dy ditësh, duke folur për higjienën gjatë sezonit të pushimeve në qytetet bregdetare, Rama tha se po përgatitet ngritja e një sistemi për forcë pastrimi që do t’u vijë në ndihmë bashkive por kërkoi nga krerët e pushtetit lokal që të vendosin gjoba të ashpra për ndotësit e mjedisit.

“Higjiena në sezon, nuk e përballon as Durrësi që është superbashki, jo më pastaj Himara apo Konispoli, apo Lezha e Shkodra të mund të mbajnë presionin e gjithë asaj ngarkese njerëzish që shkarkojnë mbeturina. Për këtë arsye po punojmë me ministrin për një skemë të re të kontrollit mjedisor të vijës bregdetare që është pasuria jonë më e madhe dhe s’mund ta lëmë as në mëshirën e atyre që sulmojnë për ta pushtuar, e me ministrin e Financave po punojmë për identifikimin e pronës shtetërore në vijën bregdetare dhe zbërthimin e proceseve manipulative dhe për regjistrimin e pronës shtetërore që i takon popullit shqiptar. Janë edhe ata që sulmojnë për të privatizuar defakto pjesë të plazhit dhe pastaj detyrojnë njerëzit të paguajnë edhe tarifa absurde për një cop vend nën diell, më tepër se ka higjienë, do ngremë një sistem që të jetë gati për sezonin e ardhshëm për të pasur një forcë pastrimi. Duhet të vendosni gjoba shumë të ashpra për mjedisin. Në Tajlandë shkon në burg nëse hedh një cigare në rërë, në Singapor të arrestojnë në aeroport po pate çamçakëz me vete jo më në gojë, e jo më ta hedhësh në tokë që të shkojnë pusbhimet burgjeve, s’po flas për këto ekstreme, por duhet të ketë ndëshkime për ndotjen”, tha kryeministri.