Gazetari Ilir Seci ka publikuar një foto të dasmës shqiptare në vitet 1980 e cila ishte publikuar ne faqen e parë të një gazete franceze. Sipas tij francezët në bazë të kësaj fotoje, ditën e dasmës të atyre viteve e konsiderojnë si ditën më të tmerrshme të nuses. Në foto është e ulur nusja e cila qan me të madhe dhe në krah të saj vëllai që nuk i kursen lotët për ikjen e motrës.

“Të qara me ulërima deri sa të dëgjonte i fundit i katundit ose i lagjes…, se kështu e donte zakoni. Kjo është një ndër detajet e rëndësishme të ceremonisë së dasmave të vajzave shqiptare në komunizëm. Është një zakon që në fakt është trashëguar më herët. Nuk ishte reflektim i emocionit të ditës, kur vajza lë shtëpinë e prindërve, por se përmes të qarave duhet të tregojë se sa shumë i doje prindërit e sa e “fisme” ishe, se nuk dëshiron të lije prindërit “për të shkuar të burri”. Këtë adet duhet ta respektonin të gjitha nuset, në momentin kur vëllai apo një i afërm tjetër i familjes, i merrte prej krahu për t’i përcjellë tek pragu i derës, atje ku ishin krushqit duke pritur ta marrin në dorëzim. Në të shumtën e rasteve dhëndri mungonte mes krushqve. Nusja e dhëndëri shiheshin në fund të ceremonisë në shtëpinë e dhëndrit, madje të hënën, një ditë pas dasmës, sepse nusja merrte me vete një krushkë, e cila flinte atë natë me nusen në shtëpinë e dhëndrit”, këto zakone të ceremonisë martesore shqiptare janë përcjellë në mediat franceze në vitin 1980",- pjesë e teksit ë gazetari ka publikuar në rrjetet sociale.