Biblioteka Publike Durrës në bashkëpunim me shkollën jopublike “Migjeni” zhvilloi në ambientet e kësaj të fundit, një takim me poeten Merita Thartori. Ky aktivitet ishte në vazhdimësinë e veprimtarive dedikuar librit.
Përfaqësuesja e kësaj biblioteke, Teuta Dhima, referoi para gjimnazistëve rëndësinë që ka libri në jetën e gjithësecilit.
Poetja e ftuar në këtë takim, Merita Thartori, spikat për vellimet me poezi, që janë vlerësuar me çmime të ndryshme, ku përmendim çmimin e fundit në tetor të këtij viti, “Ambasadore e paqes” nga Federata Universale e Paqes.
Në një atmosferë të ngrohtë, nxënësit biseduan gjatë me poeten dhe bibliografen, duke shfaqur interesin e tyre për letërsinë. Ata interpretuan poezi të ndryshme, një pjesë e të cilave ishin krijuar nga vetë nxënësit.
Fjala artistike u shndërrua në kryefjalën e kësaj bisede. Ajo tregoi që interesi për librin tek të rinjtë nuk është fashitur.
K.H.