*Gjykata liroi tre të arrestuarit me bujë e zhurmë për kontrabandën e cigareve tri ditë më pas!
Të tre të arrestuarit me bujë e me zhurmë nga policia e Durrësit dhe Antikrimi Ekonomik si të dyshuar të një sasie prej 550 mijë paketash cigare kontrabandë, kanë dalë jashtë dyerve të burgut që në seancën e parë të masës së sigurisë.
Mëngjesin e sotëm gjykata liroi kundrejt garancisë pasurore prej 10 mijë eurosh të ndaluarin e tretë, Irfan Ahmetin. Një ditë më parë, motra e tij Gjuljen Sami, 52-vjeçare nga Maqedonia dhe Ilir Dëngu, shoferi i kamionit, 53-vjeçar nga Tirana, u liruan direkt nga salla e gjyqit me vendim të relatores Shpëtime Pitaku. 52-vjeçarja, shtetase turke, motra e Irfan Ahmetit nga Maqedonia, u lirua kundrejt garancisë pasurore prej 15 mijë eurosh. Ndërsa për 47-vjeçarin u dhanë 10 mijë euro si garanci pasurore. Për shoferin, gjykatësja ka dhënë masën e sigurisë detyrim paraqitjeje 2 herë në muaj.
Irfan Ahmeti e deklaroi veten të pafajshëm para togave të zeza dhe ka kërkuar lirimin e tij nga salla e gjyqit duke hedhur poshtë çdo akuzë të ngritur nga prokuroria. “Unë jam biznesmen i ndershëm, punoj e jetoj në Tiranë, ku kam edhe kompaninë e ndërtimit. Unë punoja si përkthyes, as nuk e kam blerë, as nuk jam shitësi dhe as pritësi i mallit. Për këtë kemi dokumente që e vërtetojnë se malli kishte destinacion Sllovakinë”, ka thënë në sallën e gjyqit biznesmeni.
Tre të pandehurit u arrestuan tri ditë më parë nga policia e Durrësit brenda në port, ndërsa kamioni ku gjendej sasia e cigareve kishte prerë biletë për në Itali. Policia bëri me dije se “Në bazë të informacioneve të marra nga shërbimet homologe të huaja u ushtrua kontroll në kamionin me targa AA 679 KU dhe me trailer TR 0349 R, me drejtues shtetasin Ilir Dengu, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 550 000 paketa të markës “Merhaba”, me vlerë në tregun e lirë 154 000 000 lekë të rinj dhe kamioni me targa AA 679 KU”.
Sipas policisë, malli i sekuestruar ishte ngarkuar në Mal të Zi në Potgoricë, kishte si destinacion Sllovakinë, por dyshohej se do të futej në tregun e brendshëm shqiptar.
K.H.





