Francë, 20 prill 2014 – Shumë zhurmë për asgjë. Kështu mund të cilësohet tashmë historia aq shumë e përfolur në mediat botërore në muajin janar e presidentit francez François Hollande me aktoren bukuroshe Julie Gayet. Ndërsa fotot e takimeve të tyre sekrete bënë xhiron e botës, tashmë duket se presidenti është braktisur nga të gjitha ish-gratë e tij.
Valerie Trierweiler, zonja e parë e Elizesë, e tradhtuar nga Hollande, duket se tashmë e ka marrë veten pas shtrimit në spital, si pasojë e dhimbjes së shkaktuar pas mësimit të tradhtisë. Sipas medieve gossip, ajo ka gjetur një dashuri të re në New Jork.
Segolene Royal, gruaja me të cilën Hollande ka 4 fëmijë, është rikthyer në qeveri, nën petkun e Ministres së Ambientit.
Ndërkohë Julie pushton faqet e para të medieve gossip si aktore dhe producente “normale”. Pas një qëndrimi të gjatë në shtëpi për të shmangur gazetarët dhe paparacët, Julie rishfaqet sërish e qeshur dhe e lumtur.
Ndërsa të gjithë prisnin, që, pas skandalit që përfshiu pallatin presidencial, do të kishim një zonjë të parë të re asgjë e tillë s’ndodhi. Presidenti duket se është kthyer beqar, por zëra ende të pakonfirmuar flasin për një dashuri të re, por që palët e përfshira në të duan ta mbajnë tërësisht private.
Gazetarët dhe paparacët që zbuluan skandalin e presidentit janë të zënë me problemet gjyqësore të procesit që nis në muajin qershor. Ata akuzohen për “Dhunim të intimitetit të jetës private”.
Ndërkohë vetë Hollande, megjithëse përballet me një ulje rekord të popullaritetit të tij, me një papunësi në rritje dhe skandalin e këshilltarit të tij politik, në pamje të parë duket i qetë!!!
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





