Prej shumë vitesh, Lira stilon veshje për gratë dhe vajzat e qytetit të Durrësit e jo vetëm. Menaxhon prej gati 15 viteve një biznes privat dhe keqardhja e saj e vetme janë orët që ka kaluar në punë, larg fëmijëve të saj, si dhe mospërfshirja më herët në këtë profesion të cilin e dashuron. E përballur çdo ditë me klientelë të moshave nga më të ndryshmet ajo thekson se gjëja më e rëndësishme përveç aftësive profesionale është mënyra e komunikimit, e cila të garanton suksesin në çfarëdo marrëdhënieje si familjare dhe shoqërore.
Lira, si kanë qenë fillimet tuaja në fushën e stilimit?
Ka qenë pasioni shumë i madh për t’u marrë me stilimin e veshjeve që më shtyu të ndërmarr një nismë të tillë që në fillim dukej pak e vështirë për t’u realizuar. Nëse kthehem pas në kohë kujtoj se nuk kam hasur vështirësi shumë të mëdha, përveç atyre financiare. Mesa duket pasioni për profesionin ma ka bërë më të lehtë punën. Shumë vite përpara, kur pak a shumë të gjithë visheshin njësoj, unë kisha tendencën t’i ndryshoja veshjet e mia, t’i bëja sipas gustos time. Kjo ndoshta ka qenë shtysa që u gjenda si papritmas në këtë profesion. Po të krahasoja veten time profesionalisht në këto kohë me atë që isha rreth para 15 viteve, habitem sesi e kam marrë inisiativën për të ngritur këtë biznes. Atëherë mendoja se dija, por tani e shoh sesa kisha për të mësuar atëherë. Me rritjen profesionale sigurisht që u rritën edhe kërkesat e klientelës që vinte dhe kërkonte shërbimin tim.
Në punën tënde, një nga çelësat e suksesit, përveç profesionalizmit, është edhe komunikimi me klientet besoj….
Po, është e vërtetë, është një nga pikat kyçe për mbarëvajtjen dhe funksionimin e aktivitetit. Kur mendoj se sa jam rritur profesionalisht me kalimin e viteve, kuptoj se sa më ka ndihmuar mënyra e komunikimit në fillimet e mia. Përderisa në fillim unë vetë kisha ende shumë për të mësuar në këtë profesion, aftësitë e mia komunikuese kanë qenë çelësi për të afruar sa më shumë klientelë rreth vetes.
Profesioni yt nuk njeh orare fikse, sidomos në periudha të caktuara kur ka dyndje klientele. Sa ke sakrifikuar nga jeta jote personale dhe familjare për aktivitetin tënd privat?
Këto 2-3 vitet e fundit jam përpjekur që të mos kaloj më shumë se 8 orë në ditë duke u marrë me profesionin. Nuk mund të përjashtoj faktin që edhe tani, shpesh, në periudha fluksi, më qëllon të rri jashtë orarit, por ama është një kohë pak më e reduktuar. Ndërkohë kur kujtoj vitet e para ndjej në vetvete shpeshherë keqardhje për kohën që nuk kam kaluar me fëmijët e mi.
Tani ata janë të rritur dhe janë fëmijë të mrekullueshëm, por unë nuk e harroj dot që të paktën për 5-7 vjet kam bërë mamanë vetëm nga ana financiare, sepse nga ana emocionale nuk kam mundur t’u qëndroj dot pranë. Puna në fillim më ka ngrënë shumë orë jashtë orarit, sidomos në periudhat e fluksit si festa të ndryshme, sezone dasmash apo mbrëmjesh mature etj. Gjithsesi edhe kjo ngarkesë pune ka pasur anët e saj të mira, qoftë përsa i përket anës financiare, qoftë përsa i përket ngritjes profesionale. Unë dua të falennderoj me këtë rast familjen time, që më ka qëndruar mjaft pranë në ato vite, më ka ndihmuar dhe shpesh më ka zëvendësuar edhe në ato detyrime që domosdo duhet t’i kryeja unë.
Një hallkë mjaft e rëndësishme në suksesin e veshjeve që t’i nxjerr nga duart e tua është dhe stafi me të cilin punon. Si mund t’i vlerësosh marrëdhëniet që ke me vartëset e tua?
Pa dashur të bëj modesten mund të them që gratë dhe vajzat me të cilat punoj janë një mbështetje mjaft e madhe për mua. Pa to nuk do të mund t’ia dilja dot si në sasi dhe si në cilësi. Kam një staf të mrekullueshëm që më mbështet fuqimisht edhe në këto periudha, kur na duket gati-gati e pabesueshme që t’ia dalim mbanë dhe të plotësojmë të gjitha kërkesat e klientelës sonë. Kam krijuar një staf me të cilin punoj prej afro 7-8 vitesh dhe mund të them që ato janë rritur së bashku me mua profesionalisht. Kemi arritur të krijojmë një bashkëpunim shumë të frytshëm duke arritur të mbulojmë çdo punë apo çdo vështirësi që mund të na dalë përpara.
Ti prej vitesh i je dedikuar profesionit tënd dhe aktivitetit privat. Cila do ishte një këshillë që do t’i jepje femrave që duan të afirmohen në fushën që ato kanë zgjedhur të ndjekin?
Primare do të thoja unë duhet të jetë dëshira dhe pasioni. Nëse janë këto të dyja atëherë kushdo mund t’ia dalë mbanë në fushën që aspiron të ndjekë e të bëjë karrierë. Gjithashtu do doja të theksoja se një pikë tjetër mjaft e rëndësishme përsa i përket hapjes së një aktiviteti privat është edhe financa, pra shuma që t’i do të investosh në biznesin tënd. Unë mendoj se brenda vetes kushdo nga ne e di mirë se ku do të arrijë pas një farë moshe dhe për këtë arsye përpiqet t’ia dalë mbanë.
Nëse do të kishe mundësi të ktheheshe pas në kohë do t’i dedikoheshe sërish këtij profesioni?
Pa diskutim. E vetmja keqardhje e imja tani është fakti se pse nuk i jam dedikuar këtij profesioni që para 20 viteve. E gjeta veten ndoshta shumë vonë në këtë profesion dhe do kisha dashur ta kisha nisur që herët, po ndoshta ishte sistemi apo mentaliteti i asaj kohe që të pengonte. Kjo është e vetmja keqardhje për mua.