NGA PIRRO NAÇI

Turizmi shqiptar ndodhet në udhëkryq dhe në një pikë kritike. Modeli i zhvillimit të ndjekur në dy dekadat e kaluara nuk ka më se çfarë të ofrojnë, thjesht ndodhet në ngërç ekonomik. Edhe pse nuk duam ta pranojmë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse distancohemi nga e vërteta.

Të kundërtën promovojmë në përditshmërinë tonë. Premtime, objektiva të paqartë, pa një busull evropiane, aksione për pastrimin e plazheve, ceremoni për sezone turistike, legjislacion turistik që “qepet” dhe “shqepet” sa herë ndërrojnë qeveritë, etj.

Pavarësisht kontributit simbolik dhe të padiskutueshëm të turizmit në ekonomi modeli ka krijuar dhe krijon probleme kronike të cilat reflektojnë dhe vështirësojnë edhe konkurrencën ndërkombëtare. Forumi Ekonomik Botëror (WEF) në analizat dhe referencat për konkurrueshmërinë e turizmit bën “radiografinë” dhe vendos diagnozën edhe të turizmit shqiptar. Për këto as edhe një fjalë në shtypin qendror.

E kundërta ndodh, mjaftohemi  përpara fillimit të sezonit turistik të japim disa informacione nga shtypi ndërkombëtar apo agjenci turistike që promovojnë Shqipërinë si një nga destinacionet kryesore, apo bregdetin e Jugut, Sarandën, Butrintin dhe disa destinacione të tjera si “perlat” e Mesdheut.

Këto lloj informacionesh nuk kanë munguar pothuajse në vazhdimësi. Këto janë të mirëpritura, por do të doja të ndalesha edhe në disa informacione dhe referenca të tjera të ndërkombëtarëve, në kontekstin e ecurisë së ekonomisë dhe të zhvillimit të turizmit shqiptar në krahasim me vendet e tjera.

Viti  2014 në “radiografinë” e WEF-it për konkurrueshmërinë në turizëm ka fakte mjaft domethënëse. Na radhit në vendin e 95-të, të krahasuar edhe me 2013-tën që zinim vendin e 77-të. Pothuajse 8 vite më parë në 2008 radhiteshim në vendin e 90-të. Vlerësimet janë në një gamë të madhe parametrash, të cilat kushtëzojnë zhvillimin e turizmit të lidhur ngushtë edhe me degët e tjera të ekonomisë.

Në veçanti duket se vendi ynë vuan në aspektin institucional dhe na radhit në vendin e 118-të, në infrastrukturë në vendin e 99-të në tregun financiar në të 118-tin, në makroekonomi në të njëjtat parametra, e kështu me radhë në disa indekse që kushtëzojnë edhe zhvillimin e përgjithshëm të ikonës së turizmit shqiptar.

Këto janë pak a shumë parametrat që vendosin zhvillimin e krahasuar me konkurrencën ndërkombëtare. Ecuria e kësaj dege nuk mund të kuptohet pa një kontekst të përgjithshëm ekonomik. Deri më tani kemi trumbetuar vite të tëra turizmin si degën më kryesore të ekonomisë që do të sjellë zhvillimin e madh, por ai nuk po vjen akoma. Këto praktika dhe mendësi të kujtojnë fragmente analogjike dhe anekdotike  të një epoke tjetër shumë të largët të antikitet dhe të “avdiritizmit”…

Në Thrakën e lashtë banorët e Avdirës, vendosën të ndërtonin një ujësjellës për banorët të cilët nuk kishin ujë. U mblodhën dhe u investuan shuma të mëdha. U ndërtuan depozita të mëdha, tubacione të florinjta, madje dhe shatërvanë të gdhendur me mermer në shumë pika të qytetit. Kur gjithçka ishte gati ata zbuluan se kishin harruar më të rëndësishmen:- ku do të gjenin ujin??? Për analogji, te ne ndodh ndoshta edhe e kundërta. Mund të kemi edhe burimin, por nga turizmi marrim ujë me “pikatore”.

Faktet dhe të dhënat e FEB (WEF), të paktën 10 vitet e fundit, e karakterizojnë produktin tonë turistik të vuajë nga patogjeniteti ku mbart përbrenda karakteristika dhe probleme endogjene dhe ekzogjene. Komponentët kryesorë të gjendjes patogjene kanë lidhje me shumë faktor. Produkti turistik i pa ndryshuar për një kohë të gjatë i ngjan një “fryti të pjekur”, i cili e ka mbaruar ciklin e tij biologjik dhe tani nuk pret gjë tjetër, por zëvendësimin e tij.

Oferta turistike që na afrohet është e copëtuar në njësi të vogla, të cilat nuk mund të përfitojë aq sa duhet nga shkalla ekonomike e ofertës dhe funksionimi i saj dhe nga ana tjetër nuk mund t’i përshtatet kësaj oferte me parametrat bashkëkohorë. Akoma mungojnë hotelet e përmasave të mëdha dhe rezortet cilësore, të cilat mund të ndryshojnë dhe të rrisin kategorinë dhe përfitimet nga turistët. Bregdeti ynë qysh nga ishulli i Stilit në fund të Sarandës e deri lart, ka qindra dhe mijëra hapësira dhe plazhe të pashfrytëzuara dhe të pa “zbuluara” për t’i ardhur në ndihmë turizmit.

Përpara se të ftojmë të huajt të zbulojnë bregdetin dhe vendin tonë le ta bëjmë ne të parët, sepse nuk dimë dhe nuk vlerësojmë pasurinë  turistike që kemi. Të paktën Saranda, Vlora, Durrësi dhe Shëngjini duhet të kishin bërë diferencën në zhvillimin ekonomik dhe në parametrat e vlerësimit të turizmit te krahasuara me bashkitë e tjera të vendit. Vlerat dhe pasuria turistike që mbartin i japin mundësi për të “punuar” me konceptin dhe praktikat e një land-i apo kanton-i, duke “tërhequr” drejt zhvillimit edhe njësitë e tjera administrative të vendit.

Një tjetër aspekt është edhe ekzistenca e një vakuumi për koordinimin ndërmjet autoriteteve lokale me ato qendrore  në formësimin e politikave dhe prioritetet e zhvillimit të turizmit. Përgatisim ligjin për turizmin, por nuk kemi një legjislacion turistik, ku duhet të përfshijë gjithë gamën e kësaj dege të ekonomisë, duke filluar që nga përshtatshmëria e tokës për investim në turizëm e deri në mbrojtjen e ambientit nga funksionimi i kësaj veprimtarie.

Përveç mjaft problemeve të tjera patogjenia mbart me vete për shumë vite edhe një fenomen tjetër atë të “elefantit të bardhë”. Më konkretisht, elefanti i bardhë ishte një kafshë e rrallë dhe e shenjtë në Azinë Juglindore dhe për këtë arsye sipërmarrësit bënë të gjitha përpjekjet për ta integruar në procesin e prodhimit dhe riprodhimit.

Përpjekjet kishin shpenzime mjaft të mëdha për t’i mirëmbajtur dhe për të përfituar e shumëfishuar, gjë që i çoi ata në mënyrë të pashmangshme në varfërimin ekonomik. Në mënyrë metaforike kuptimi i elefantit të bardhë e theksojmë për t’u referuar në infrastrukturën turistike të vendit tonë që karakterizohet nga një kosto shumë e lartë për tu mirëmbajtur dhe funksionuar në krahasim me atë se çfarë duhet të përfitoj. Pothuajse 23%  është shfrytëzimi i kapacitetit  gjithëvjetor turistik. Dyfishi më i lartë është kjo shifër në Evropë.

Për çka referuam më lart kanë të bëjnë me një pjesë të problemeve që ka industria e turizmit tonë e parë nga këndvështrimi i të huajve. Probleme këto që nuk kanë të bëjnë me mangësitë e sotme apo të para një viti, të kësaj qeverisje apo të asaj që u zëvendësua, të të majtëve apo të të djathtëve. Rrethi është shumë më i gjerë dhe shumë më i gjatë në kohë. Asnjë objekt apo organizëm shtetëror, por edhe çdo individ i veçantë që kanë lidhje me këtë degë nuk mund të justifikohet.

Jo se kjo degë nuk ka edhe sukseset e saj të cilat janë mjaft të rëndësishme në shkallë kombëtare, lokale dhe individuale. Pyetja shtrohet natyrshëm, për anët negative të saj, në se ka një zgjidhje për patogjenezën e turizmit shqiptar dhe kur do ta fillojmë ta bëjmë atë të gjithë së bashku.

Forumi Ekonomik Botëror edhe këtë vit po ndjek me mjaft interes indekset e Travel&Turism dhe konkurrueshmërinë e ecurisë së saj në vendin tonë. Ajo vlerëson 140-të vende nën spektrin ekonomik botëror, të bazuar në atë masë në të cilat ato kanë vendosur faktorët dhe politikat për ta bërë atë tërheqës për zhvillimin e sektorit të turizmit. Vitin e ardhshëm Raporti do të eksplorojë se si nga njëra anë industria e turizmit ka potencial për të rritur elasticitetin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, por gjithashtu do të vendosë theksin në një sërë problemesh që pengojnë zhvillimin e saj. Le ta shikojmë në këtë prizëm këtë sezon të ri turistik.

http://www.shekulli.com.al/p.php?id=251476