“Kur kryeministri deklaronte “hëngshin kokat e tyre” pranoi se drejtuesi më i lartë i shtetit nuk ka asnjë strategji për të luftuar krimin e organizuar dhe, mbi të gjitha, se kjo mazhorancë nuk kontrollon territorin.”
Kështu shkruan në Facebook kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka duke iu referuar ngjarjes që tronditi Lezhën paraditen e sotme, atë të ekzekutimit mafioz të 47-vjeçarit Kastriot Reçi.
Duka thotë se shteti nuk ka strategji për të luftuar krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve si dhe zgjidhja fillon me ndëshkimin e atyre që kanë lejuar degradimin e kësaj situate.
POSTIMI I PLOTË
Kur kryeministri deklaronte ‘hëngshin kokat e tyre’ pranoi se drejtuesi më i lartë i shtetit nuk ka asnjë strategji për të luftuar krimin e organizuar dhe, mbi të gjitha, se kjo mazhorancë nuk kontrollon territorin.
Një shtet modern, një shtet funksional, ngrihet mbi monopolin e përdorimit të forcës, një monopol që në Shqipëri nuk ekziston më prej kohësh. Ortakëria e mazhorancës aktuale me krimin ka cënuar sovranitetin shtetëror, për pasojë, shtetit i ka mbetur vetëm roli i varëmihsit. Vrasja në qarkun e Lezhës konfirmon pikërisht këtë degradim, ndërsa ‘hëngshin kokat e tyre’ mbetet deklarata me të cilën shteti heq dorë nga garantimi i rendit dhe sigurisë për qytetarët e tij.
Por cila është zgjidhja? Sigurisht nuk ka përgjigje të lehta dhe as zgjidhje të shpejta. Kur u zbeh diferenca midis politikanit dhe të fortit, u zhduk edhe diferenca midis shtetit dhe bandave. Prandaj, kur një shtet bie, ringritja nuk kërkon vetëm ndëshkimin e atyre që kanë lejuar degradimin e tij duke futur në institucionet përfaqësuese dhe vendimmarëse elementë të botës së krimit. Kërkon një rithemelim që nis nga angazhimi i gjithë faktorëve konstruktivë të shoqërisë, të cilët duhet të heqin dorë nga indiferenca dhe të bëhen ndryshimi që kërkojnë nga partitë dhe politikanët. Sepse Shqipëria nuk është e partive, por është e shqiptarëve që veprojnë nëpërmjet tyre. Sa më shpejt të jemi të vetëdijshëm për këtë, aq më shpejt do të vij ndryshimi që presim dhe do të kemi shtetin që meritojmë.





