Ka një moment kur „të fortët“ e politikës shqiptare vendosin që t‘i japin dorën njëri-tjetrit. Në fakt është një moment që të ngjan me një rrufe në qiell të hapur, por që vjen pas një cikloni të vërtetë politik, ku konflikti nisi pas marrëveshjes për ndryshimin e kodit zgjedhor dhe përfundoi me kompromisin për një reformë zgjedhore dhe ndoshta për ta ndryshuar përsëri atë kod zgjedhor. Në fakt pak paradoksale, por e vërtetë si drita e diellit. Kodi i bashkoi, zgjedhjet i ndanë dhe kodi dhe reforma zgjedhore me sa duket do të ulin armët e politikës shqiptare, e cila për pak sa nuk e kaloi vendin në destabilitet pas protestave të 11 Janarit. Pasi u përdorën të gjitha sulmet politike, pasi u shkarkuan të gjitha bateritë jashtë parlamentit, por dhe brenda tij, pasi u përdorën të gjitha armët mediatike, politike, madje dhe ato të zjarrit, politika shqiptare është kujtuar se mund të bëhet kompromis për interesat e vendit.
Me sa duket atë që ambasadorja gjermane nuk e bëri dot për të bashkuar duart e Ramës me Berishën, tashmë e ka bërë një lojtar tjetër më profesional, më imponues dhe më premtues për zhvillimet e tjera të mundshme. Pa dashur dhe pa ditur emrin e vërtetë të këtij lojtari, do të thoja thjesht ndërkombëtarët përsëri vendosën për afatet e kompromisit. Natyrisht që në këtë rast do të duhej Kodi i da Vinçit, për të hapur një shteg, një dritë në tunelin e errët të mosmarrëveshjeve, një çelës në derën e përplasur para fytyrës, një perëndi që do t‘u thoshte në vesh të fortëve të politikës së ashpër se ka ardhur koha për të falur, për t`u ulur në tavolinë dhe për të zgjidhur hallet e këtij vendi. Me sa duket Kodi i da Vinçit, të cilin politika shqiptare e krijoi dhe nuk e zgjidh dot, e ka një sinonim, atë të Kodit Zgjedhor që mund të sjellë një zgjidhje „Deux ex machina“. Në fakt reforma zgjedhore në pozicionin e opozitës do të përkthehej një garanci për të ruajtur votën, në një kohë që për mazhorancën mbetet thjesht një term që as të ngroh dhe as të ftoh.
Thjesht një tërheqje taktike pas një presioni të gjatë të opozitës, nga ato tërheqje që Berisha ia imponoi Nanos apo që ai vetë i bëri me ndryshimet në kodin zgjedhor. Natyrisht që si një lojtar i vjetër i politikës shqiptare Berisha e di mirë që e keqja nuk i vjen dot nga modelet e reformave zgjedhore dhe në këtë pikë ai di të lëshojë terren. Në fakt pjesa e vështirë për të mbetet reforma parlamentare, e cila mund të konsiderohet dhe lëshimi më i madh i kompromisit. Në fakt dopio gjashta e opozitës kanë qenë ligjet me 3/5, një gur që Berisha diti ta lërë në duart e kundërshtarit duke i faturuar dhe hapat pas në procesin e integrimit. Në fakt tashmë lojën po e luan Rama, që e ka kuptuar se nuk mund ta mbajë dot më në dorë këtë gur, për më tepër që dhe gjyqtari ndërkombëtar kësaj rradhe shikon lëvizjen teknike dhe jo prapavijën politike. Në një situatë të tillë, loja e shahut po luhet nga nr. 1 i socialistëve, që pasi luajti të gjitha kartat, pasi forcoi pozitat në parti, pasi forcoi të paktën teorikisht rradhët me tre brezat e socialistëve, pasi zhvilloi një Kongres ku rikonfirmoi pushtetin dhe pozicionet taktike, po bën në tavolinë lëvizjet e duhura për ta marrë kështjellën ashtu si Berisha ia mori Fatos Nanos (thonë që Nano e la vetë). Në një klimë të tillë Rama ka larguar së pari nga dora dopio gjashtën e miratimit të ligjeve me tre të pestat, ka propozuar reformë zgjedhore dhe parlamentare, ka kërkuar tolerim në figurën e Avokatit të Popullit, ka paralajmëruar sistemin e drejtësisë për lëvizje në dëm të opozitës dhe ka hapur letrat në tavolinë për të luajtur me Berishën lojën e fundit para zgjedhjeve të ardhshme.
Natyrisht që tashmë loja është e hapur dhe do të luhet në tavolinën ovale të parlamentit. Lëvizjet do të jenë të kujdeshme, Berisha do të ketë përballë një lojtar më të fortë se dje, i cili në një farë mënyre ka riformatuar marrëdhëniet me nderkombëtarët, që në fund të fundit janë gjyqtarët e kësaj loje. Sigurisht gjyqtarë të paanshëm, por kur një lojtar në tavolinë zbaton rregullat dhe luan me mençuri, ka një farë avantazhi përballë një lojtari që ka mësuar të luajë me mençuri, por ka disavantazhin se ka fituar disa ndeshje rradhazi dhe për më tepër është konsumuar nga qeverisja. Sigurisht, një lojë në tavolinën e parlamentit ka brenda dhe surprizat, bllofet, enigmat dhe kodet e saj. Nuk dihet se çfarë të rejash do të sjellë kodi i ri zgjedhor, në raport me kodin e da Vinçit që mund ta hapin vetëm ndërkombëtarët. Ajo që është e sigurtë, është fakti se loja ka nisur. Lojtarët janë ulur në tavolinë. Letrat kanë filluar të hapen. Gjakrat janë akoma të ftohtë dhe gongu i OSBE-ODIHR-it ka rënë. Tashmë është vetëm çështje kohe dhe zgjedhjesh se cili do të jetë fitimtari. Një lojë në tavolinë është një lojë në tavolinë. Të dy palët betohen për sinqeritet, për rregulla loje, për drejtësi. Natyrisht, por në pokerin e politikës shqiptare fiton gjithmonë ai që di të lexojë kartën e fundit, atë që ndërkombëtarët e quajnë ndryshe vota e popullit. Le të presim dhe të shohim.