Nga Armand Shkullaku

19 nëntor 2015 – Përjashtimi nga taksat i biznesit të vogël, më shumë se një strategji e studiuar ekonomike, ngjan me një lëvizje populiste, e detyruar nga faktorë ekstra-financiarë, të cilën kryeministri Edi Rama e ka ndërmarrë paralelisht me fushatën për të “pastruar më tej” Shqipërinë.

Ky vendim i qeverisë po serviret si një favor që kryeministri po u bën shtetasve të tij. Më në fund, pas dy vjetësh terror taksash e gjobash, ai u prek dhe vuri dorën në zemër duke iu kthyer sistemit të taksave që i kishte lënë paraardhësi i tij. Por, a është ky kthim diçka e menduar apo kemi të bëjmë përsëri me një masë të ndërmarrë nën presionin e faktorëve politikë, njësoj si dikur, kur në emër të taksimit progresiv premtohej më shumë barazi sociale?

Nga një vështrim i shpejtë mbi këtë vendim të qeverisë, mjaftojnë disa elementë për të kuptuar që kemi të bëjmë me një akt të marrë shpejt e shpejt nën presion dhe jo me një plan të mirëmenduar. Kryeministri tha se të ardhurat e realizuara nga formalizimi i bizneseve do të kompensojnë ato që do të mungojnë nga taksimi i biznesit të vogël dhe reduktimi për bizneset e mesme. Por qeveria nuk ka publikuar shifra konkrete se sa është raporti në këtë kompensim dhe as ka treguar se çfarë do të ndodhë për shembull pas dy viteve, kur të ardhurat nga formalizimi të jenë konsumuar.

Po kështu, ky vendim duket i sajuar pasi jep zgjidhje që mbeten në pjesën populiste të tij. Duke ndërhyrë në sistemin e tatimit mbi të ardhurat dhe jo atë të fitimit, qeveria përjashton nga taksat bizneset deri në 50 mijë dollarë në vit dhe ul tatimin për ato deri në 80 mijë në vit. Çfarë do të ndodhë me bizneset e tjera, a do të tatohen ato për shumën që mbetet mbi 80-mijëshen, apo do të tatohen për gjithë të ardhurat që realizojnë në total? Nëse jo, atëherë bizneset e tjera ose do të ndahen në dysh apo tresh për të përfituar, ose do tentojnë të ulin të ardhurat.

Por vendimi i qeverisë ndërhyn edhe në natyrën e subjekteve që realizojnë të ardhurat. Një biznes i vogël përjashtohet nga tatimi mbi të ardhurat, po një rrogëtar që realizon po aq ose më pak të ardhura përse të mos përfitojë nga ky vendim? A është e drejtë një masë e tillë që bën selektime brenda së njëjtës kategori individësh? Kjo masë do të bënte që shumë individë, marrëdhëniet e tyre të punësimit t’i kthejnë në shërbime duke u regjistruar si biznese të vogla, për t’i shpëtuar kështu një diskriminimi fiskal.

Këto paqartësi të para, si dhe fakti se ky propozim nuk ka ardhur i konkretizuar si projektligj, ashtu siç janë përgatitur rëndom masat dhe reformat fiskale deri më sot, por si një dëshirë e kryeministrit, do të mjaftonin për të thënë se vendimi i qeverisë nuk është aspak i menduar mirë. Ai është marrë nën presion dhe dëshmon se politikat fiskale të kryeministrit Rama kanë qenë dhe mbeten kaotike, voluntariste dhe populiste. Biznesi i vogël dhe i mesëm u goditën jo vetëm nga sistemi i pastudiuar fiskal, por edhe nga fushatat terrorizuese të gjobave dhe kontrolleve të egra. Në një kohë kur rriti masat shtrënguese për qytetarët, kryeministri bëri të lulëzojnë dhjetëra koncesione korruptive, të cilave u dhuroi shërbime që do duhej t’i ofronte shteti, duke rënduar kështu dyfish taksapaguesit. I shtyrë nga deliri “i të bërit shtet”, qeveria Rama goditi forcën motorike të shoqërisë shqiptare dhe tani kërkon të amnistohet duke ndërmarrë një tjetër masë të pamenduar, ku nuk janë parashikuar hapat e tjerë.

Në këto kushte, kjo masë vështirë se mund t’i sjellë oksigjen ekonomisë. Ajo synon thjesht të lehtësojë pozitën e qeverisë në raport me qytetarët, të cilët duhet të zbuten me kryeministrin që “e vuri dorën në zemër”. I gjendur nën presionin e grupit të tij parlamentar, i cili përcjell zemërimin dhe pakënaqësinë në rritje të njerëzve kudo në Shqipëri, Rama vendosi të lëvizë shpejt. Nën ankthin edhe të një prishjeje të mundshme me LSI, që rrezikon zgjedhjet e parakohshme, kryeministri kërkon të zbusë imazhin e tij represiv. Me këtë shpjegohet edhe “mëshira” e tij për bizneset e vogla, edhe deklarata për heqjen e kontrolleve barbare të inspektorëve në terren.

Krahas fushatës në bazë “për të pastruar më tej Shqipërinë”, ku po synon të neutralizojë rritjen e LSI-së, Rama po përgatitet gjithashtu të retushojë imazhin e tij në rast të një përballjeje të papritur elektorale. Në këtë kontekst duhen lexuar edhe goditjet populiste mbi tatimet dhe spastrimet enveriste në dogana. Kryeministri po provon të përçojë mesazhin se ai është udhëheqësi i dhembshur, që papritur zbulon prapësitë që bëhen pas shpinës së tij dhe vendos të veprojë me dorë të hekurt. Të ndëshkojë fajtorët dhe të falë të pambrojturit.

Mirëpo është i njëjti kryeministër që ka mbrojtur me fanatizëm sistemin e tij shtrëngues të taksave, që ka frymëzuar ndëshkimet me gjoba marramendëse, që ka dënuar të pambrojturit dhe ka lejuar të pushtetshmit të abuzojnë me ligjin, që ka ndëshkuar të varfrit dhe u ka falur para publike të pasurve, klientë personalë të tij. Është i njëjti kryeministër që sot bën shkarkime masive, ndërsa dje i justifikonte humbjet në tatime e dogana jo si rrjedhojë e punës së dobët, korrupsionit e vjedhjes, por si konjuktura të tregut.

Kryeministri Rama po vepron nën presion politik dhe jo me një plan të qartë ekonomik, prandaj edhe këto masa mbeten thjesht elemente të së vetmes gjë që ai mendon ende se di ta bëjë më mirë, manipulimit të opinionit publik.

“Mapo”

/portali DurresLajm/