Nga Bardhyl Ermini
“Deri në 5 mujorin e parë, 10 mijë makina nuk e kanë kaluar testin e shkarkimit të gazrave”. Në përputhje me “direktivën” e Bashkimit Europian, pas këtij 1 Korriku, këto norma ulen me 40 për qind në krahasim me 6 mujorin që kaloi. Kështu ka deklaruar një ekspert i Ministrisë të Transporteve në një të përditshme. Duke presupozuar se periudhën që vjen, në riparimin dhe përtëritjen e parkut të automjeteve nuk do të ndodhë asnjë gjë e re, mund të llogaritim pa frikë se numri i tyre, i mjeteve, që nuk do ta kalojnë këtë testim do të jetë: 9 për qind e diferencës së mjeteve të mbetura nga totali minimum zyrtar 320 mijë, plus 40 për qind të këtij numri, për shkak të uljes të normës. Që i bie 18 mijë plus 7 mijë, 25 mijë. Pra gjatë krejt këtij viti shuma e mjeteve që nuk e kalojnë testin do të shkojë në jo më pak se 35 mijë automjete.
Nëse do të llogarisim një mijë euro mesatarisht vlerën që ka investuar çdo përdorues në të, i bije që vlera totale që “hidhet në erë”, apo që humbasin qytetarët, është 35 milionë euro. Ndodh kështu një metamorfozë ekonomike në një prej vendeve më të varfra e më të korruptuara në Europë e më tej. Në një vend ku papunësia zyrtare e ajo e fshehtë e kalon masën 30 e përqindëve dhe ku më tepër se 34 për qind e banorëve të saj jetojnë në minimumin jetik, në një popull ku jo më pak se një e treta e tij janë emigrantë e “hanë dhe” në vend të huaj, në një territor të degjeneruar nga pikëpamja ekologjike, lumenjtë e të cilit brenda 24 orësh me një shi jo më tepër se 80 milimetër përmbysin krahina të tëra, në një reliev malor ku pjesa më e rëndësishme e më vitale e saj është kthyer në shkretëtirë nga krimi zyrtar i shpyllëzimeve masive, në një terren katastrofik bujqësor ku 50 për qind e tokës bujqësore ka dalë përfundimisht jashtë përdorimit nga anarshia e përgjithshme urbane dhe ku edhe kësaj diference vetëm gjysmës së saj i shkon rrëkeja e ujit, në një bregdet të qelbur nga ndërtesat e kalbësirat që derdhen në të, vija e të cilit përditë e më tepër futet në thellësi, prej shkatërrimit të regjimit të deltave të lumenjve, të cilat e kanë mbytur atë me llum dhe plehra, në një…
Ja, në këtë klimë kontrastesh na del tani edhe shteti ynë, qeveria jonë e na tregon se kemi detyrim për të plotësuar “direktivën” e BE për të eliminuar brenda vitit hidroksidin e karbonit që çlirohet nga mjetet, në mënyrë që po deri në fund të vitit ajri i qyteteve tona të kthehet në ajër të pastër, me përjashtim të… grimcave të pluhurit të cilat janë afro 30 përqind më të mëdha se normat e BE, për të cilat mund të mendohet e veprohet pas nja 50-60 vjetësh. Atë që e ka në dorë shteti, atë e bën. E ka në dorë shpirtin e qytetarëve, jua merr atë. Ose qytetarët e tij brenda 6 muajsh do të thithin në mushkëritë e tyre aq hidroksid karboni sa ç’thithin berlinezët, ose bëhet nami. Pa, me se ushqehet ky “milet”, sa të ardhura ka, në ç’mënyrë e në sa kohë do ti duhet 35 mijë familjeve, apo 140 mijë banorëve të këtyre familjeve që mjetet që nuk e kalojnë testin, ta rikuperojnë gjendjen apo ta kthejnë atë në mbetje, nuk ka fare rëndësi. E rëndësishme është që shpejt, sa më shpejt të jetë e mundur ti raportohet zonjës së nderuar Merkel se “si rezultat i punës efektive të qeverisë, brenda 6 muajve populli shqiptar ka filluar të thithë ajër gjerman”, pa ç’ka se në këtë ajër, vendin e hidroksidit të karbonit e ka zënë pluhuri i çimentos, i tullave, i plehrave, i kanalizimeve pa kanal të ujërave të zeza, me një fjalë pa ç’ka se në këtë ajër dominon era e m…it.
Po ç’bëhet kështu xhanëm?! Po si është e mundur që ky shtet në vend të na drejtojë e udhëheqë me kujdes e me realizëm, i lëshon për ditë e më tepër terren mediokritetit dhe paaftësisë për të krijuar e përshtatur mënyrën e jetesës të qytetarëve të vet në përputhje me kushtet social ekonomike ku ata janë? Të lësh në dorën e ca “minjve” zyrash konturimin e jetës shoqërore të qytetarëve, në përshtatje me atë ç’ka ata shohin e përkthejnë nga interneti e këtë ta konsiderosh “drejtim të duhur”, kjo është një mjerim kaq i madh i raportit të qytetarëve me qeveritarët të cilët ata i zgjedhin, sa nuk mund të shpjegohet me asnjë formë tjetër përveçse me dyshimin: a jemi një popull që aspirojmë demokraci reale, apo një popull që jetojmë nën një skllavëri “demokratike” e të denjë vetëm për popuj primitiv?
Me të vërtetë që jemi një vend i vogël, por edhe se i tillë ai nuk mund të drejtohet duke u mbështetur te lloj-lloj debilësh e zuzarësh servilë, që ofron tregu i sotëm zyrtar. “Kush nuk di të qeverisë gjithmonë bëhet uzurpator”, kjo shprehje e njohur nuk ka nevojë për vërtetim. Në Shqipëri, kjo është vërtetuar plotësisht. Uzurpatorët nuk i kanë munguar asnjëherë këtij vendi, pavarësisht nga fjalët e bukura e demagogjia. 35 mijë mjete pretendohet të dalin nga përdorimi brenda 6 muajsh! Natyrisht, sepse bëhet fjalë për sistemin e funksionit të motorit, i cili në fund të fundit është pasqyra e vetë makinës. Aksion me “goditje të përqendruar”. Ndërkohë që, edhe bufi e di, se në kushtet e vendit tonë, për këtë qëllim, pra qoftë për pastrimin e djegieve në ajër, apo për daljen nga qarkullimi të mjeteve të vjetra e që nuk ka mundësi mirëmbajtje, hartohen strategji me afate zbatimi 10 vjeçar, në qendër të të cilit duhet të mbizotërojnë mekanizmat ekonomik e jo ato subjektiv. Fare thjesht, nëpërmjet tarifave të diferencuara kjo çështje mund të shkonte në rrjedhën e nevojshme. Pas një kufiri teknik të arsyeshëm e mesatar që mbizotëron në krejt flotën e mjeteve, pa dyshim që kush e ka mjetin më të vjetër, duhet të paguajë më tepër, aq sa mund të gjykohet vlera e rikuperimit të ndotjes. Vjen një moment që pagesat tarifore e ato të mirëmbajtjes të mjetit e kalojnë vlerën e vetë mjetit, e në këto kushte, edhe një budalla do të hiqte dorë nga qarkullimi me të. Por jo! Në shtetin tonë nuk ndodh kështu. Aspirojmë për në Europë?! Për pasojë një tabelë, një statistikë apo një manual francez apo gjerman i përkthyer në shqip dhe i kthyer në ligj të firmosur e vulosur nga Qeveria e ndan shapin nga sheqeri. Njëkohësisht bëhet edhe lajm. Gazetat më të mëdha europiane në faqet e para të tyre do të gjëmojnë se si “qeveria shqiptare, modeli europian i Ballkanit perëndimor, brenda një kohe rekord futi në grykat e shkrirjes të hekurit 35 mijë automjete”.
Sot, “normat e mjeteve të vjetra që do të zbatohen janë më të larta se ato të mjeteve të reja” njofton eksperti, “bedel” i mësipërm. Pse? Ky “ekspert” ose nuk di të shprehet, ose nuk e di kërkund se në ç’vend apo qytet jeton. E, pse nga pikëpamja e daljes të gazrave, mjetet e vjetra duhet të punojnë me një regjim të ndryshëm pune nga ato të reja…? Thuhet se ministri përkatës ka mbaruar fakultetin e filologjisë për gjuhën angleze. Nëse është kështu, përgjigja është e qartë. Kështu i do prapanica “ekspertit”. Kështu dhe qytetarët do të vazhdojnë edhe më tej të drejtohen, me prapanicë. Mbase këshilltari i Kryeministrit për shtypin e ndjek shtypin dhe arrin ta kuptojë se “reforma në drejtësi” edhe në se miratohet nuk do të ketë fare vlerë për vendosjen e drejtësisë në popull, në se ligjet që dalin nga Qeveria mbjellin në çdo nen të tyre padrejtësi të reja, siç ky për kolaudimin e mjeteve të transportit. E në se e kupton, të përpiqet me durim ti shpjegojë shefit të vet se Qeveria nuk duhet vazhduar të drejtohet si një organizatë, ku mund të veprohet sipas qejfit të të parit dhe inat të të dytit. “Qeveria, thoshte një orator i moçëm francez, nuk ekziston për leverdi dhe rehati të qeveritarëve”.





