Largimi pa nam e pa nishan i skafit (të mbushur nuk dihet me sa ton kanabis) nga hidrovori i Porto – Romanos ka bërë me “dhimbje koke të gjithë drejtuesit e lartë të policisë dhe prokurorisë së Durrësit.
Nuk dihet nëse kjo “dhimbje koke” ka ardhur nga fakti që lajmi u mor vesh nga mediat, dhe u përhap me shpejtësi apo nga fakti që nuk kapën dot skafin me drogë e as skafistët, por vetëm atë çka lanë pas trafikantët.
Në vendngjarje policia ka sekuestruar “pendët” që lanë pas trafikantët, sekuestroi kamionin me të cilin u transportua skafi që u mbush me drogë. U sekuestrua furgoni që transportoi drogën, u sekuestrua kareli që u përdor për të transportar nga toka në det skafin, u sekuestrua edhe fuorustrada e cila tërhoqi karelin me skafin drejt detit.
Sipas të gjitha parashikimeve, trafikantët e përmbushën misionin e tyre por ata mbetën vetëm në një pike, nuk e kishin parashikuar që fouristrada do të negcte në rërë e batica do ta mbulonte me ujë duke bërë që të pikasej nga policia.
Në flagrancë blutë e Durrësit ndaluan shoferin e fouristradës nga Vlora dhe shoferin e furgonit nga Lushnja, si dhe të gjitha mjetet që ishin përdorur.
Policia nuk mundi dot vetëm të ndalonte skafin e mbushur me drogë që kishte çarë detin, e sipas zërave po të policisë ishte drejtuar për në Mal të Zi, sepse i druhej karabinierisë italiane. Policia e Durrësit vonë e konfirmoi lajmin, atëherë kur nuk mund të bënte dot asgjë për ta mohuar atë.
Kjo sepse ngjarja kishte ndodhur në orën 22:00 të mbrëmjes të së shtunës, atëherë kur si sukses lajmërohej kapja dhe sekuestrimi i 2 kg heroinë në portin e Durrësit, ndërsa në veri të qytetit hidhej valle edhe më e rëndë.
Por pse policia nuk e bëri publik lajmin, para se të merrej vesh në media? Çfarë ka dashur të fshehë? Faktin që skafi ju iku nga duart, apo faktin që u detyrua të shoqërojë në polici 8 persona? Dhe nëse nuk është i vërtetë lajmi se ka ikur skafi pse i ka shoqëruar në polici 8 persona?
Pse pas kësaj ngjarjeje nuk ka më ansjë informacion?
Apo nuk ka asgjë për të thënë sepse nuk kanë informacion se çfarë bëhet në territorin e qytetit?
E di policia apo jo që trafikantët janë më të shpejtë? Apo ishte thjeshtë koinçidencë që u mbetën “pendët” në dorë?
Mbase nuk ka informacion por policia mëngjesin e së dielës mori vinçin e nxori nga uji i detit në Porto –Romano fouristradën e mbetur në rërë.
DurrësLajm u interesua sot sërish zyrtartisht për të mësuar rreth kësaj ngjarjeje, por policia tha se nuk ka asgjë të re.
"Hetimet kryhen nga prokuria e Krimeve të Rënda, janë ata që e kanë marrë dosjen dhe ata zhvilojnë hetimet."
Të interesuar edhe pranë prokurorisë së rrethit Durrës, ky institucion bëri me dije se policia nuk ka referuar asnjë material për ngjarjen në fjalë, e me sa duket e ka marrë në dorë prokuroria e Krimeve të Rënda.
Do ishte mirë që policia e Durrësit të jepte informacion të paktën për të "larë e pastruar", institucionin e tyre nga dyshimet që hidhen në rastin konkret. Nëse policia e dinte apo jo, dhe pse nuk bëjnë publike ngjarjet që ndodhin!





