U shoqërua me debate diskutimi i draftit të hartës së re gjyqësore i zhvilluar sot në Durrës mes përfaqësuesve nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe grupet e interesit, si gjykata, Dhomat vendore të Avokatisë Durrës dhe Kavajës, Prokuroria etj.

Zv. Kryetari i KLGJ-së Maksim Qoku ndërsa shpjegoi arsyet se pse harta e re gjyqësore parashikon shkrirjen e një numri të konsiderueshëm të Gjykatave të Apelit dhe Administrative, të cilat sipas tij nuk janë eficente për shkak të numrit të ulët të çështjeve, bëri të ditur numrin e gjykateve që do t’i “mbijetojnë” këtij procesi në Tiranë.

“I konturuar në tërësi sistemi do të ketë 3 Gjykata Apeli (Tiranë, Administrativ dhe Apelit të Posaçëm) dhe një Gjykatë e Lartë. Nuk kemi cënuar aspak numrin e gjyqtarëve në tërësi dhe nuk kemi cënuar aspak numrin e organikave të çdo gjykate”,- tha Qoku.

Kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës, Lorval Petani, në replikën e tij me Maksim Qokun shtroi pyetjen nëse do të shtohen edhe sallat e gjyqit krahas shtimit të numrit të gjytarëve. Sipas tij, nëse shtohet trupa gjyqësore në Apelin e Tiranës me 78 gjyqtarë, ndërsa ambientet në dispozicion mbeten po ato, ky fakt nuk i bën gjykatat më funksionale.

“Pretendoni se do të shtoni numrin e gjyqtarëve me 78 gjytarë të rinj në Apelin e Tiranës. Shtohen gjyqtarët, por a shtohen sallat e gjykimit? Ky studim është për një plan 5-vjeçar, nëse nuk funksionon pas 5 viteve, çfarë do të bëhet? I bie që do të riorganizoni sërish sistemin”.

Sipas Petanit, zgjidhja më e mirë do të ishte një projekt pikot në 3 gjykata dhe nëse ai funksionon të shtrihet më pas në të gjitha gjykatat e vendit.

Duke u ndalur tek investimet madhore që pritet të realizohen në Durrës, av.Petani solli shembullin e Gjykatës Administrative Durrës ku malet me dosje mbarten nga viti në vit, duke mos lehtësuar aspak biznesin dhe dhënë zgjidhje procedurave burokratike.

Sipas zv.kryetarit të KLGJ-së, Maksim Qoku ky proces shkrirjeje nuk do të ndodhë menjëherë, pasi do të aplikohet me faza.

“Nëse implementimi nuk do të funksionojë, gjykatat ku do të konstatohen probleme do të vijojnë punën“,- tha ai, ndërsa nuk la pa përmendur faktin se pas shkrirjes së gjykatës do të vazhdojnë të funksiojnë në qytetet përkatëse sekretaritë dhe arkivat gjyqësore.

Gjykata e Apelit Durrës dhe ajo Administrative janë ndër gjykatat që do të shkrihen për t’u spostuar në Tiranë. Duke shpjeguar se pse KLGJ propozoi reduktimin e ndjeshëm të numrit të gjykatave, Qoku tha:

“Jemi të ndërgjegjshëm se gjykata ka pasur rëndësi në aspektin institucional. Kur ti ia heq gjykatën një vendi duket sikur ky vend vdes, por ama kemi përgjegjshmërinë që sistemi gjyqësor të funksionojë në strukturë vertikale dhe horizontale në mënyrë të drejtë. Kemi përgjegjësinë që të mund të nxjerrim numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve nga numri i përgjithshëm i çështjeve dhe pastaj të merremi me efiçensën”,- deklaroi zv/kryetari i KLGJ.

M.B.