Tërshëra është një drith shumë i pasur me vitamina, minerale dhe fibër, tre përbërës kyç për një tretje të mirë.

Përpos këtyre vlerave, tërshëra është e mrekullueshme për pastrimin e mëlçisë dhe sistemit tretës dhe ka një efekt qetësues në organizëm.

Ekspertët e AgroWeb.org ju rekomandojnë një kurë natyrale me tërshërë dhe kanellë për përmirësimin e tretjes.

Për përgatitjen e kësaj kure të mirë për tretjen ju nevojiten:

6 filxhanë kafeje ujë

1 lugë çaji me kanellë pluhur

1 filxhan kafeje me tërshërë

Përgatitja:

Përpara se të bini për të fjetur, vendoseni tërshërën në një tas me ujë dhe mbajini në të për 7 orë.

Në mëngjes, kullojini dhe shpëlajini me ujë.

Shpëlarja ka si qëllim eliminimin e anti-ushqyesve dhe enzimave që çlirohen në ujë.

Më pas, tërshërën hidheni në një mikser, shtoni ujë dhe kanellë.

Përziejini mirë dhe më pas lëngun e trashë pijeni.

Këtë kurë mund ta përdorni 1 herë në javë.

Vlerat e tërshërës për tretjen

Fibra tek tërshëra është e patretshme. Kjo fibër është si një fshesë e cila pastron të gjithë sistemin tretës dhe vë zorrët në lëvizje.

Lëvizshmëria e rregullt e zorrëve ndihmon në eliminimin e toksinave nga organizmi.

Nga ana tjetër, vitaminat dhe mineralet që ofron tërshëra, përthithen mjaft mirë nga sistemi tretës.

Një përthithje e tillë pengon rritjen e beftë të sheqerit në organizëm, gjë që ndodh zakonisht pas konsumit të një vakti.

Vlerat e kanellës për tretjen

Kanella është e para në listën e 26 erëzave më të pasura me antioksidantë.

Studimet kanë konfirmuar se kanella ndihmon kundër problemeve me tretjen, fryrjeve, urthit, të përzierave dhe kontraktimeve të stomakut.

Kanella ul nivelin e sekretimit të acidit gastrik në stomak duke e mbrojtur sistemin tretës nga inflamacioni dhe ulçera.

Sasia e sigurtë e kanellës për shëndetin është deri në 6 gramë në ditë për 6 javë rrjesht.

Si në rastin e çdo ushqimi tjetër, edhe kura e tërshërës me kanellë duhet përdorur ngadalë për t’i dhënë kohë organizmit.

Fibra është sa e mirë por edhe e vështirë.

Nëse organizmi përballet krejt papritur me një sasi të lartë fibre, do të vuajë nga konstipacioni, diareja, gazrat dhe dhimbje të barkut. /AgroWeb.org