Si në çdo Kurban Bajram edhe këtë herë imami i xhamisë të madhe, Ervin Qylafku ka përcjellë urimin e tij për besimtarët myslimanë përmes mikrofonit të “DurrësLajm“.
Në mesazhin e tij, imami uron besimtarët për më shumë begati dhe harmoni për familjet e tyre, ndërsa lëshoi një apel drejtuar shoqërisë shqiptare në tërësi dhe politikës në veçanti, që bazuar në simbolikën e kësaj dite të shenjtë, të flijojë interesat e veta, dëshirat e shfrenuara dhe egon për pushtet, për të mirën e të gjithë njerëzve.
“Festa e Kurban Bajramit simbolizon flijimin dhe sakrificën. Me të vërtetë besimtarët myslimanë flijojnë me kurbanet e tyre, por qëllimi është që të flijojnë dëshirat e shfrenuara dhe egon, sepse siç thotë dhe Zoti në Kuran: Tek ai nuk arrin as gjaku dhe as mishi, po nuk qe devotshmëria dhe përkushtimi. Ne duhet të ndërtojmë një shoqëri, e cila është e ndërtuar mbi bazat e moralit. Ajo që kërkojmë nga politika është të sakrifikojë dhe flijojë egon dhe interesat e saj, oportunizmin partiak”,- tha Qylafku ndër të tjera.
Besimtarët myslimanë në mbarë botën do të festojnë nesër Kurban Bajramin. Falja e namazit në Durrës do të bëhet në xhaminë e madhe dhe të gjitha objektet e tjera të kultit islam në qytetin bregdetar në orën 06.15 të mëngjesit të së premtes.





