24 maj 2014 – Një Euroderbi, finalja e finaleve për t’i vënë kapak këtij edicioni të magjishëm të Champions League, që ashtu si cdo herë rezervon fakte të njohura e të panjohura, si dhe kuriozitete mjaft pikante e bëjnë edhe më interesant këtë derbi madrilen, që luhet në tokën portugeze.
E nisim nga Diego Simeone, që është i pari trajner jo europian në finalen e Champions League që nga viti 2001, kur Valencia e drejtuar nga argjentinasi Hector Cuper u mund nga Bayerni i zvicerianit Ottmar Hitzfeld. Për Spanjën shkon në 14 numri i Champions-ave të fituar, më shumë se çdo vend tjetër, duke u ndjekur nga Italia e Anglia me nga 12 triumfe.
Një statistikë tjetër që ndoshta duhet marrë parasysh nga bastevënësit është rezultati më i shpeshtë në një finale të Championsit, është shifra 1-0, e regjistruar në plot 15 përballje të tilla. Në finale numërohen 11 gola gjithsej të realizuar nga futbollistët portugezë, ekzaktësisht 2 herë më pak se ata spanjollë, por për Cristianon pak rëndësi kanë këto të dhëna sepse luzitani i vetëm ka shënuar 12 herë në 13 ballafaqime me Atleticon.
Për herë të fundit në finalen e Championsit, Atletico është shfaqur në vitin e largët 1974, kur u mund nga Bayerni, ndërsa Reali të nëntin e ka fituar në 2002-in kundër Bayer Leverkusenit dhe që atëherë La Decima është kthyer në fiksim për një botë të tërë madrilene. 22 janë klubet që e kanë fituar trofeun e Championsit, ishte pikërisht Reali i pari në vitin 1956 dhe i fundit që i është bashkuar listës ishte Chelsea 2 vjet më parë.
Në 30 përballjet direkte mes tyre, Atletico ka mundur të triumfojë vetëm 2 herë, por me Simeonen, kampionët e sapokurorëzuar të Spanjës janë vërtet të frikshëm. Në arenën europiane, "Los Colchoneros" janë të vetmit që nuk kanë pësuar humbje, numërojnë deri më sot 9 fitore dhe 3 barazime. Po ashtu, kjo skuadër ka mbrojtjen më të blinduar të këtij sezoni me vetëm 6 gola të pësuar në 12 takime.
Përsa i përket ballafaqimit të trajnerëve, Ancelotti e shikon nga disa shkallë më lart argjentinasin Simeone. Strategu italian mund të bëhet i pari trajner me tre kupa europiane, pas Bob Paisley, i vetmi në histori që e ka bërë diçka të tillë me Liverpoolin, tre dekada më parë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





