Fuqia dhe kufijtë e Dollarit Amerikan. Monedha e gjelbër ende mbretëron. Por ata që duan ta shmangin, po gjejnë mënyra për ta bërë këtë
Shpeshherë rritet dëshira për të pasur një monedhë rezervë alternative ndaj dollarit dhe kështu nisin parashikimet e rënies së monedhës së gjelbër. Për gati tre të katërtat e një shekulli, dollari ka mbizotëruar në një shkallë globale tregtinë, financat dhe portofolat e rezervave të bankave qendrore.
Megjithatë, inflacioni i lartë, gjeopolitika problematike dhe sanksionet e vendosura nga Amerika dhe aleatët e saj ndaj vendeve si Rusia, kanë ngritur sërish dyshimet ndaj Dollarit, shkruan The Economist.
Shpesh këto ndjesi ushqehen nga thirrje të zemëruara të një udhëheqësi botëror ndaj dollarit. Në vitin 1965, Valéry Giscard d’Estaing, në atë kohë ministri i Financave i Francës, dënoi “privilegjin e tepruar” që monedha e gjelbër i jepte Amerikës.
Së fundmi, presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, në një vizitë në Kinë, bëri thirrje që tregjet në zhvillim të tregtojnë duke përdorur monedhat e veta.
Në të njëjtën kohë, rritja e çmimit të arit dhe rënia e peshës së dollarit në rezervat globale, ka ngjallur dyshime të tjera, dhe së fundmi, sekretarja amerikane e Departamentit të Thesarit, Janet Yellen, tha se me kalimin e kohës, përdorimi i sanksioneve “mund të gërryejë hegjemoninë” e monedhës.
Këtu nuk ndihmon fakti se Amerika së shpejti mund të përballet me një krizë fiskale, nëse Kongresi nuk arrin të ngrejë tavanin që kufizon sa mund të marrë hua qeveria.
Megjithatë, shumë dyshime ndaj dollarit janë të shkëputura nga realiteti. Monedha e gjelbër ushtron një tërheqje gravitacionale të plotfuqishme në ekonominë botërore që nuk është dobësuar materialisht, edhe pse Amerika kohët e fundit ka zbuluar se ka pengesa që e bëjnë të vështirë shfrytëzimin e epërsisë së monedhës së saj.
Përparësia e dollarit është e jashtëzakonshme. Mbi një e treta e tregtisë globale faturohet në dollarë, një pjesë që ka qenë relativisht e qëndrueshme në terma afatgjatë. Dollari është i përfshirë në gati 90% të transaksioneve në valutë.
Likuiditeti i monedhës së gjelbër është i tillë që, nëse doni të shkëmbeni euro me franga zvicerane, mund të jetë më lirë të tregtoni me dollarë sesa ta bëni këtë drejtpërdrejt. Rreth gjysma e borxhit ndërkufitar është në dollarë.
Dhe megjithëse pjesa e dollarit në rezervat e Bankës Qendrore ka rënë në terma afatgjatë, ai ende përbën rreth 60% të tyre.
Nuk ka asnjë shenjë të një ndryshimi dramatik të kohëve të fundit, përveç atij që është shkaktuar mekanikisht nga bankat qendrore që rivlerësojnë portofolat e tyre për të marrë parasysh lëvizjet e kursit të këmbimit dhe normat më të larta të interesit në Amerikë.
Asnjë monedhë tjetër nuk gëzon këtë madhësi ekosistemi ose tërheqje themelore: furnizimin e aseteve të sigurta në dollarë në dispozicion të investitorëve. Eurozona është e brishtë dhe tregu i saj i borxhit sovran është kryesisht i fragmentuar ndërmjet shteteve anëtare.
Kina nuk mund të kënaqë kërkesën globale për asete të sigurta, për sa kohë që ajo kontrollon fort flukset e kapitalit dhe drejton tepricat e llogarisë korente. Dhe dollari, si monedhë mbizotëruese, përfiton nga efektet e rrjetit. Njerëzit duan të përdorin monedhën që përdorin të gjithë të tjerët.
Megjithatë, është gjithnjë e më e qartë se vendet individuale mund të anashkalojnë sistemin e mbizotëruar nga dollari nëse e dëshirojnë këtë. Megjithëse ekonomia e Rusisë është dëmtuar nga sanksionet, ajo nuk është gjymtuar, pjesërisht për shkak se 16% e eksporteve të saj tani paguhen në juanë, nga pothuajse asnjë para pushtimit të Ukrainës.
Alternativa e Kinës ndaj sistemit të mesazheve ndërbankare SWIFT është rritur me shpejtësi. Vendi gjithashtu po orienton gjithnjë e më shumë tregtinë e tij dypalëshe drejt përdorimit të monedhës renminbi, një detyrë më e lehtë sesa të zëvendësosh dollarin në flukset tregtare midis vendeve të tjera. Edhe shumë firma në Perëndim tani përdorin monedhën renminbi për tregtinë me Kinën.
Teknologjitë e reja të pagesave dixhitale dhe monedhat dixhitale të bankës qendrore, mund ta bëjnë edhe më të lehtë lëvizjen e parave nëpër botë, pa përfshirë Amerikën.
Baraspesha e fuqive
Për më tepër, zonja Yellen ka të drejtë kur thotë se përdorimi i dollarit për t’i detyruar vendet të sillen sipas vullnetit të SHBA-së, nuk është një mënyrë për të krijuar apo për të mbajtur miq. Amerika nuk ka vendosur sanksione dytësore ndaj vendeve si India, të cilat ende tregtojnë me Rusinë, sepse i frikësohet reagimit që do të rezultonte nga kjo.
Megjithëse një zhvendosje në një sistem shumëpolar monedhash nuk është i pashmangshëm, ai mund të ndodhë më vonë gjatë këtij shekulli, ndërsa tkurret edhe pjesa e Amerikës në ekonominë botërore.
Një sistem i tillë do të ishte në thelb më pak i qëndrueshëm se ai i përqendruar te dollari, kështu që nuk do të ishte as në interesin e Amerikës dhe as të botës, që të përshpejtohej një ndryshim i tillë./Monitor