Në ditën e tretë të gjyqit në Hagë, ish-zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi ka deklaruar pafajësinë e tij para trupës gjykuese.
Teksa solli në vëmendje një sërë aktesh kriminale të kryera nga regjimi serb në kohën e luftës në Kosovë, Krasniqi deklaroi se gjithmonë ka vepruar me ndershmëri, pa cenuar jetën e askujt dhe se qëllimi i tij i vetëm ka qenë liria e bashkimi kombëtar.
“Si kryetar i Lidhjes Demokratike në Drenas kam ndjekur nga afër krimet në Likoshan, në Qerez e në Prekaz dhe shumë krime të tjera të llahtarshme që kanë ndodhur e të cilat ishin akte të pastra gjenocidi. Në ato ditë të vështira i kam vizituar këto familje pas vrasjeve të anëtarëve të familjeve të tyre, në ceremoninë mortore në Likoshan kam mbajtur fjalën në emër të partisë Lidhja Demokratike dhe të gjitha partive politike lokale. Unë kam parë me sytë e mi në vendbanimet që regjimi kishte targetuar, shumica e familjeve kishin anëtarët të ekzekutuar.
Në Prekaz përveç 59 të njerëzve të ekzekutuar, kishte dhe shumë fëmijë. Nuk më vjen turp të deklaroj publikisht se kam qarë kur pashë në një depo të materialeve ndërtimore në hyrje të Skënderajt gjithë ato njerëz të vrarë të familjes Jashari.
Adem Demaçi më vërejti se po qaja dhe pasi më shprehu ngushëllimet më tha: Jakup nuk ka fitore pa luftë dhe sakrificë! Unë e dija se ky ishte çmimi i lirisë, u përpoqa ta mbaja veten, por nuk mundja. Nuk po qaja për Ademin, Hamzën dhe Shaban Jasharin që tani janë legjendë e lirisë. Unë po qaja për fëmijët, pasardhësit e kombit tim, që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë fëmijërie.
Në atë moment më është bërë e qartë se nuk mund të jetoja më me kokën e futur në zall si struci. Nuk ishte njerëzore që t’u kthehej shpina njerëzve që ballafaqoheshin me pasojat e gjenocidit. Ishin momente vendimtare! Në ato moment thashë: liri o vdekje, por jo kurrë më nën sundimin e politikave gjenocidale të Serbisë.
Në Qershor të vitit 1998, më është propozuar të dal publikisht si zëdhënës i UÇK-së, nuk hezitova në asnjë moment që të marr përsipër një detyrë të tillë edhe pse rreziku ishte i madh. Isha krejtësisht i vetdijshëm se paraqitja ime publike, identiteti im do të vendoste dhe familjen në rrezik. Dalja ime publike, familjen time e kishte bërë target për t’u shkatërruar. Kjo është arsyeja pse nuk do të flas për fatin e familjes time as babain tim që vdiq prej torturave serbe sepse të gjithë shqiptarët pa dallime politike, feje ishin objekt i shkatërrimit e planit gjenocidal të Serbisë. Në funksion të qëllimit për të shkatërruar shqiptarët forcat serbe vranë 1392 fëmijë ku kishte dhe foshnja në djep, 1739 gra dhe mbi 10 mijë civilë të tjerë. Përkundër të gjitha të metave dhe vështirësive gjatë luftës, në rolin tim si zëdhënës jam përpjekur të krijoj një përshtypje se jemi një strukturë e organizuar mirë, sepse ishte mënyra e vetme për të mbajtur gjallë shpresat për një rezistencë të mirëfilltë prandaj deklaratat e mia duhet të shihen në funksion të propagandës.
Ne gjithmonë e kemi dëshiruar të afirmojmë luftën tonë çlirimtare. Sa herë është varur nga ne, ne paqes i kemi hapur të gjitha portat. Ne u udhëheqëm nga porosia e Skënderbeut i cili pat thënë që të kërkosh luftë është çmenduri, por t’i përgjigjesh asaj kur të imponohet është urti.
Nëse në rrugëtimin tim politik ka një gjë që nuk ka logjikë është akt-akuza e ngritur, përmbajtja e akuzës, më ka lënduar më shumë sesa torturat mizore dhe dënimi me burg nga regjimi serb. Akuzat për gjoja trafikim organesh nga ana e UÇK-së, pas hetimeve disa vjeçare nuk u gjet asnjë provë e vetme dhe rrjedhimisht një akuzim i tillë nuk është pjesë e akuzës.
Unë kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit, kjo është arsyeja pse kam qenë rehat në ndërgjegjien time njerëzore, e kam jetuar një jetë me dinjitet dhe dua të vdes me dinjitet.
Në jetën time, asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale as para luftës, gjatë luftës apo pas luftës. Asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në vepra kriminale as me veprim, as me mosveprim, as me nxitje. Gjithmonë kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar, që kanë qenë qëllimi im jetësor. Prandaj kam qenë dhe jam krenar për veprimtarinë time politike si në të kaluarën dhe sot jam ballëhapur para çdo njeriu dhe shumë i lumtur që kam arritur edhe në rrethana tepër të rënda ta ruaj integritetin tim njerëzor. Sinqerisht jam i qetë!”, tha Krasniqi para trupës gjykuese në Hagë.





