Tiranë, 29 gusht 2014 – Me ndryshimet që janë bërë në Planin Mësimor të vitit akademik 2014-2015, janë shtuar mbi 22 mijë orë të Edukimit Fizik dhe përafërsisht do të duhet të shtohen rreth 900 mësues të kësaj lënde.
Ndërkohë që, me këtë plan mësimor i bie që të humbasin vendin e punës 350 mësues që nuk janë të Edukimit Fizik.
Shtimi i orëve të Edukimit Fizik është bërë në kurriz të gjuhëve të huaja të dyta, frwngjisht ose italisht, pasi u janë hequr orët, duke rrezikuar kështu vendin e punës rreth 350 mësues, shkruan “Gazeta Shqiptare”.
Gjuha e huaj e dytë, frëngjishtja ose italishtja, deri më tani fillonte në klasë të gjashtë dhe vazhdonte deri në klasë të nëntë, me dy orë në javë. Sipas udhëzimit të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, i cili mban datën 8 gusht 2014 dhe është botuar në Fletore Zyrtare, tashmë gjuha e huaj e dytë nuk do të zhvillohet ose, në rastet kur kërkohet nga prindërit, mund të ofrohet një orë në javë 45 minuta.
Me këtë ndryshim të planit mësimor për vitin akademik 2014-2015, lënda e Edukimit Fizik do të zhvillohet me 3 orë mësimore në javë, në të tria nivelet e arsimit parauniversitar: Arsimi fillor, (klasat 1-5), Arsimi i mesëm i ulët, (klasat 6-9), Arsimi i mesëm i lartë (klasa 10), nga 2 orë/javë, në 3 orë/javë, ndërsa Arsimi i mesëm i lartë (klasa 11) nga 1 orë/javë, në 3 orë/javë dhe (klasa 12) nga 0 orë/javë, në 3 orë/javë.
Me këto ndryshime, i bie që Edukimit Fizik i janë shtuar më shumë se 22 orë mësimi dhe automatikisht kërkohet një rekrutim i mbi 900 mësuesve të Fizkulturës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





