Banka e Shqipërisë, në përgjithësi, ngelet optimiste për perspektivën e rritjes ekonomike gjatë tre viteve të ardhshme.
Ajo pret një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe pranë potencialit, të udhëhequr në masën më të madhe nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve të sektorit privat, por të mbështetur edhe nga një kontribut margjinal pozitiv – ndonëse në ngadalësim – të sektorit të turizmit.
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, sfidat mbeten të pranishme. Përveç rreziqeve që mund të vijnë nga jashtë, zhvillimet e pafavorshme demografike, ndryshimet klimatike, si dhe revolucioni teknologjik e digjital, mbeten sfida afatgjata strukturore me të cilat do të përballet zhvillimi i vendit.
Banka Qendrore sugjeron që adresimi i tyre kërkon investime të mëtejshme në arsim e shëndetësi, si instrumente të domosdoshme për rritjen afatgjatë të produktivitetit, si dhe forcimin e rrjeteve të sigurisë, përfshi edhe një rishikim e reformë të sistemit të pensioneve.
Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2025?
Ekonomia shqiptare ka pasur, në tërësi, një ecuri pozitive gjatë vitit 2025.
Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.6% gjatë gjysmës së parë të vitit; analiza e informacionit të disponuar na shtyn të besojmë se ritmi i rritjes ka qenë i ngjashëm edhe gjatë gjysmës së dytë. Ndonëse në ngadalësim krahasuar me dy vitet paraardhëse, kjo është një rritje solide dhe pranë vlerësimit tonë për potencialin afatmesëm të këtij treguesi.
Në të njëjtën kohë, rritja e kërkesës agregate dhe e prodhimit ekonomik është pasqyruar edhe në tregun e punës.
Punësimi në sektorin privat jobujqësor është rritur me një mesatare prej 4.7% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, ndërkohë që norma e papunësisë qëndron në nivele minimale historike prej 8.1%.
Po ashtu, pagat në sektorin privat janë rritur me një ritëm mesatar prej 9.7% në terma nominale dhe 7.4% në terma reale. Këto zhvillime sugjerojnë se rritja ekonomike po pasqyrohet në rritje të mirëqenies për një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare.
Në të njëjtën kohë, parametrat kryesorë të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit kanë ardhur në përmirësim.
Së pari, inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë i ulët dhe i qëndrueshëm, duke u luhatur rreth një niveli mesatar prej 2.3%. Kjo ecuri është diktuar nga balancimi më i mirë i kërkesës dhe ofertës në tregun e produkteve dhe të shërbimit, nga amortizimi që trendi forcues i kursit të këmbimit ka bërë ndaj presioneve të huaja inflacioniste, si dhe nga pritjet e stabilizuara për të ardhmen.
Së dyti, pozicioni fiskal dhe ai i huaj i vendit janë forcuar më tej. Raporti i borxhit publik dhe borxhit të huaj ndaj PBB-së ka shënuar rënie të mëtejshme, duke qëndruar në minimumet historike të dy dekadave të fundit dhe duke rritur rezistencën e ekonomisë sonë ndaj goditjeve potenciale të brendshme e të huaja.
Së treti, tregjet financiare kanë qenë të qeta dhe shëndeti i bilanceve të ndërmjetësve financiarë – dhe në veçanti ai i bankave – mbetet i kënaqshëm. Tregjet financiare janë karakterizuar nga likuiditeti i bollshëm, volatiliteti i ulët i normave të interesit dhe kursit të këmbimit, prime të ulëta rreziku dhe kosto të ulëta kreditimi.
Po ashtu, sektori bankar ka tregues mjaft të mirë likuiditeti, kapitalizimi dhe përfitueshmërie, ndërkohë që oferta e kredisë është e mjaftueshme për të mbuluar kërkesën dhe gama shërbimeve financiare është në zgjerim.
Të gjithë këta tregues sugjerojnë se rritja ekonomike nuk është e sforcuar. Përkundrazi, ajo ka forcuar më tej stabilitetin makroekonomik dhe ka forcuar më tej perspektivat e zhvillimit afatgjatë.
Paralelisht me treguesit ekonomikë, viti 2025 shënoi dhe hapa konkretë e historikë në procesin e integrimit europian të vendit.
Hapja e të gjithë grup-kapitujve të negociatave për anëtarësim, së bashku me angazhimin e partnerëve europianë, ofrojnë një perspektivë realiste anëtarësimi – gjithmonë të bazuar në merita dhe subjekt i proceseve të brendshme politike të Bashkimit Europian – në një horizont jo shumë të gjatë kohor.
Një produkt konkret dhe inkurajues i këtij procesi është anëtarësimi i Shqipërisë në zonën unike të pagesave në euro (SEPA).
Ky anëtarësim është dëshmi e konvergjencës teknologjike dhe rregullatore të Shqipërisë me standardet e BE-së. Gjithashtu, ai ofron përfitime konkrete në drejtim të reduktimit të kostove të transaksioneve ndërkufitare, me përfitime direkte në formën e kursimeve më të larta për bizneset dhe familjet shqiptare dhe në formën e incentivave për rritjen e tregtisë ndërkufitare.
Ky kontekst zhvillimi ka marrë një përgjigje pozitive edhe nga investitorët vendas e të huaj. Brenda vendit, besimi i biznesit dhe konsumatorit është në nivele konsistente me një ekonomi në rritje e zgjerim.
Jashtë vendit, përmirësimi i mëtejshëm i renditjes së rrezikut sovran të vendit gjatë vitit 2025 është shoqëruar me rritjen e mëtejshme të investimeve të portofolit në tregun tonë financiar dhe të Investimeve të Huaja Direkte në ekonomi, duke treguar besim në rritje në perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.
Paralelisht me këto zhvillime, viti 2025 vijoi të ilustrojë disa probleme strukturore të ekonomisë shqiptare. Në veçanti, baza sektoriale e rritjes ekonomike nuk është e plotë, ndërsa tregu i punës po shfaq mungesa në rritje, si pasojë e trendeve të pafavorshme demografike, emigracionit, si dhe mospërputhjes së pjesshme midis aftësive të kërkuara nga punëdhënësit dhe atyre të disponuara nga punëmarrësit.
Megjithatë, stabiliteti ekonomik e financiar i vendit, bilancet e shëndosha të sektorit privat dhe atij financiar, si dhe besimi për të ardhmen, ofrojnë premisa inkurajuese se trendet pozitive të viteve të fundit do të vijojnë edhe në të ardhmen.
Nga këndvështrimi institucional, Banka e Shqipërisë do të vijojë të kujdeset që politikat e saj monetare e financiare, si dhe nismat rregullatore e zhvillimore, të japin një kontribut pozitiv në stabilitetin monetar e financiar të vendit, si një parakusht për një zhvillim të shpejtë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në afatin e gjatë.
Të dhënat paraprake kanë treguar se edhe për vitin 2025, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht në sektorët e lidhur me turizmin dhe pasuritë e paluajtshme. Shihni rreziqe në perspektivë të lidhura me varësinë e lartë të ekonomisë nga këta sektorë dhe me një zbehje të ciklit rritës të tyre? Si mund të ulet kjo varësi dhe çfarë duhet bërë për të ruajtur ritme të shëndetshme të rritjes ekonomike në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë?
Rritja ekonomike e dy viteve të fundit ka pasqyruar zgjerimin e sektorit të ndërtimit dhe të shërbimeve, ky i fundit me një kontribut pa diskutim primar nga të ardhurat e turizmit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë kanë shënuar rënie të aktivitetit.
Ky zhvillim i diferencuar sektorial meriton padyshim diskutim e vëmendje.
Nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri pasqyron si faktorë tranzitorë, ashtu edhe faktorë më të qëndrueshëm strukturorë.
Faktorët tranzitorë kanë natyrë të dyfishtë. Së pari, kërkesa për turizëm në rajon e në Shqipëri ka pasur një rritje të shpejtë, e cila ka sjellë zgjerimin e sektorit të shërbimit dhe – bashkë me të – atë të ndërtimit, në përgjigje të nevojave për zgjerimin e kapaciteteve akomoduese.
Përkundrejt tyre, kërkesa për artikuj industrialë ka qenë relativisht e dobët dhe çmimet në rënie, sidomos në segmentet tradicionale të eksportit shqiptar.
Së dyti, faza pozitive e pozicionit ciklik të vendit ka bërë që kjo rritje kërkese në dy sektorët e mësipërm t’i vendosë ata në pozita mjaft konkurruese në tregjet e brendshme të punës e të kapitalit, duke vështirësuar më tej pozicionin e sektorit të bujqësisë e të industrisë.
Maturimi i sektorit të turizmit në një horizont afatmesëm dhe balancimi më i mirë i kërkesës dhe i ofertës në ekonomi, do të pasqyrohen në një zbutje të këtyre presioneve gjatë dy viteve në vijim.
Nga ana tjetër, faktorët strukturorë pasqyrojnë një kombinim të problemeve specifike të sektorëve të industrisë dhe të shërbimit, të cilët kanë si emërues të përbashkët shkallën relativisht të ulët të produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë në tregjet botërore.
Adresimi i këtyre problemeve kërkon natyrisht vëmendje, si nga vetë bizneset private që ushtrojnë aktivitetet në këta sektorë, ashtu edhe nga reforma të mëtejshme strukturore, të cilat ndihmojnë në rritjen e produktivitetit të përgjithshëm të ekonomisë shqiptare.
Në pjesën e dytë të vitit 2025, inflacioni bazë dhe në përgjithësi inflacioni i gjeneruar nga ekonomia e brendshme kanë shfaqur një tendencë të qartë në rritje. Cilët kanë qenë faktorët kryesorë dhe a shihni rreziqe për inflacionin të lidhura me rritjen e vazhdueshme të pagave?
Faktori kryesor i rritjes së inflacionit bazë dhe atij të brendshëm ka qenë përshpejtimi i çmimit të qirasë, inflacioni i të cilit u rrit nga 2.1% në muajin mars në 6.7% në muajin tetor, duke mbetur i pandryshuar në muajin nëntor.
Ndërkohë, rritja e disa prej çmimeve të shërbimeve të lidhura me turizmin është balancuar nga rënia e çmimeve të disa mallrave, pjesë e këtyre matjeve të inflacionit bazë e të brendshëm.
Aktualisht, rritja e qirasë përbën burimin kryesor të presioneve të brendshme inflacioniste, por në mungesë të rritjeve të përsëritura në të ardhmen, efekti i saj mbi inflacionin pritet të jetë i përkohshëm. Nga ana tjetër, presionet që lidhen me gjendjen e ekonomisë dhe tregun e punës mbeten të qëndrueshme dhe në linjë me objektivin tonë për inflacionin, duke reflektuar një ekonomi e cila po rritet pranë potencialit. Sikurse rezulton nga analizat tona, nivelet e ulëta të inflacionit të importuar dhe të çmimeve të ushqimeve – subjekt i goditjeve të ofertës – mbajnë inflacionin poshtë objektivit 3%.
Sa u takon pagave, rritja e tyre ka reflektuar rritjen e aktivitetit ekonomik dhe të produktivitetit në disa sektorë, si dhe mungesat në fuqinë punëtore dhe formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë.
Deri tani, përcjellja e pagave në çmime ka qenë e kufizuar dhe nuk ka gjeneruar efekte të raundit të dytë, e mbështetur nga rritja e produktivitetit, rënia e marzheve të fitimit të bizneseve, si dhe nga qëndrimi i kujdesshëm i politikës monetare, i reflektuar në pritjet e ankoruara për inflacionin.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë po monitoron nga afër raportin mes rritjes së pagave dhe produktivitet, pasi një divergjencë afatgjatë e tyre do të përbënte një rrezik për inflacionin në të ardhmen. Në këtë kuadër, politika jonë monetare do të mbetet e orientuar nga të dhënat e reja, qasje kjo që na mundëson të jemi fleksibël dhe efikas ndaj zhvillimeve të reja.
Gjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka kryer ndërhyrje të përmasave të mëdha në tregun e këmbimit valutor. Mendoni se ndërhyrjet e zgjatura në tregun e këmbimit e kanë shmangur Bankën e Shqipërisë nga objektivi i saj primar i shënjestrimit të inflacionit dhe nga përdorimi i instrumentit të saj kryesor të ndërhyrjes në funksion të këtij objektivi, normave të interesit?
Kursi i këmbimit të Lekut ka ardhur në forcim të vazhdueshëm gjatë tre viteve të fundit, i cili ka pasqyruar përmirësimin e vazhduar të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë të vendit, si dhe reduktimin e primeve të rrezikut dhe rritjen e besimit në monedhën kombëtare.
Deficiti i llogarisë korrente ka regjistruar rënie, nga niveli mesatar prej 7.5% të PBB-së në periudhën 2015 – 2021, në një mesatare prej 3.4% të PBB-së, në periudhën 2022 – 2024 dhe një suficit 0.3% në tre tremujorët e parë të vitit 2025.
Kjo ecuri është diktuar nga rritja e shpejtë e eksporteve, e nxitur nga rritja e eksporteve të turizmit. Për ilustrim, eksportet totale shqiptare janë rritur nga 4.7 në 9.1 miliardë euro në horizontin 2021 – 2024, duke shënuar rritje të mëtejshme prej rreth 10% në tre tremujorët e parë të vitit 2025.
Po ashtu, eksportet e turizmit janë rritur nga 1.9 në 5 miliardë euro në horizontin kohor 2021 – 2024, duke u rritur më tej me 14.5% në tre tremujorët e parë të vitit 2025.
Paralelisht me to, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte ka ardhur në rritje, duke kaluar nga 1 në 1.6 miliardë euro në horizontin kohor 2021 – 2024, për t’u rritur më tej me 4.3% në tre tremujorët e parë të vitit 2025.
Këto zhvillime kanë gjeneruar një tepricë valute në tregun e brendshëm, tepricë e cila – së bashku me rritjen e besimit në monedhën tonë kombëtare – ka sjellë presione për forcimin e Lekut.
Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë ka rritur praninë në tregun valutor gjatë dy viteve të fundit, duke tërhequr një pjesë të konsiderueshme të kësaj oferte të shtuar dhe duke zbutur ritmin e forcimit të kursit të këmbimit.
Në këtë kontekst, gjejmë me vend të bëj tre sqarime.
Së pari, ndërhyrja jonë në tregun e brendshëm valutor ka qenë dhe mbetet një ndërhyrje e përkohshme. Synimi i kësaj ndërhyrjeje nuk ka qenë mbrojtja e ndonjë niveli të caktuar të kursit të këmbimit, por amortizimi i shpejtësisë së ndodhjes së këtij fenomeni.
Përmbushja e këtij objektivi u gjykua e dobishme, sepse cektësia e tregut të brendshëm valutor ishte premisë për një volatilitet të shtuar të kursit dhe – në raste ekstreme – potencialisht edhe për shmangie të tij nga fondamentet.
Si volatiliteti i shtuar, ashtu edhe një shmangie nga fondamentet mund të kishin pasoja potenciale negative në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Sa më sipër, kjo ndërhyrje nuk e cenon regjimin valutor të aplikuar në Shqipëri, i cili ka qenë dhe mbetet një regjim i lirë i kursit të këmbimit.
Niveli i kursit të këmbimit në afatin e gjatë do të diktohet gjithnjë nga raporti i kërkesës dhe ofertës për valutë në tregun e brendshëm. Banka e Shqipërisë, në përputhje me regjimin valutor, politikën dhe rregulloret përkatëse, do të jetë e pranishme në treg vetëm nëse konstaton një funksionim jo-normal të tregut valutor apo premisa për cenimin e stabilitetit monetar e financiar të vendit.
Së dyti, ecuria e kursit të këmbimit ka qenë dhe mbetet një faktor me peshë jo të vogël në inflacion dhe për rrjedhojë në qëndrimin e politikës monetare. Kjo do të thotë që politika monetare e Bankës së Shqipërisë i ka kushtuar gjithnjë vëmendje ecurisë së kursit të këmbimit dhe e ka faktorizuar atë në vendimmarrjen e politikës monetare.
Për ilustrim, forcimi i shpejtë i kursit gjatë viteve 2022-2024 ishte faktori primar, i cili i mundësoi ekonomisë shqiptare të kishte një nivel mjaft më të ulët inflacioni në raport me partnerët tanë tregtarë dhe – po ashtu – një normalizim mjaft më të moderuar të politikës monetare dhe nivel më të ulët normash interesi krahasuar me ta.
Po ashtu, politika jonë monetare ka faktorizuar edhe ndikimin e kursit të këmbimit në kushtet monetare dhe inflacion gjatë vitit 2025, duke u kujdesur që qëndrimi i saj të jetë gjithnjë konsistent me përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit.
Së treti, në një perspektivë më afatgjatë, niveli i rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe do të jetë konsistent me kriteret e brendshme të mjaftueshmërisë.
Kjo rezervë valutore shërben si garantues i aftësisë paguese të vendit, si parandalues i goditjeve spekulative, si dhe si instrument përballimi i goditjeve ekstreme të paparashikuara ekonomike apo financiare.
Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2026? Cilat besoni se do të jenë sfidat kryesore për ekonominë shqiptare?
Projeksionet tona për të ardhmen janë pozitive.
Në vija të përgjithshme, në horizontin afatmesëm që mbulon periudhën 2026 – 2028, ne presim një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe pranë potencialit, të udhëhequr në masën më të madhe nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve të sektorit privat, por të mbështetur edhe nga një kontribut margjinal pozitiv – ndonëse në ngadalësim – të sektorit të turizmit.
Nga ana tjetër, inflacioni i çmimeve të konsumit pritet të kthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit të ardhshëm, i nxitur nga një ecuri e balancuar e kërkesës dhe ofertës agregate, nga një stabilitet më i madh i kursit të këmbimit dhe nga pritje të ankoruara për të ardhmen.
Këto projeksione faktorizojnë gjykimin tonë se ambienti i huaj do të ketë ecuri relativisht të stabilizuar, të karakterizuar nga një rritje pozitive – ndonëse e ngadaltë – e partnerëve tanë tregtarë të Eurozonës. Po ashtu, ato faktorizojnë pritjet për një ecuri të stabilizuar të politikës fiskale, brenda kontureve aktuale të deficitit dhe duke vijuar të gjenerojë një trajektore rënëse të borxhit publik.
Megjithatë, sfidat natyrisht mbeten të pranishme.
Materializimi i rreziqeve gjeopolitike në ambientin e jashtëm apo intensifikimi i konflikteve tregtare mund të devijojnë trajektoren e zhvillimit të vendit nga parashikimet tona, duke kërkuar monitorim të vazhdueshëm dhe reagim të hershëm.
Po ashtu, zhvillimet e pafavorshme demografike, ndryshimet klimatike, si dhe revolucioni teknologjik e digjital, mbeten sfida afatgjata strukturore me të cilat do të përballet zhvillimi i vendit.
Adresimi i tyre kërkon investime të mëtejshme në arsim e shëndetësi, si instrumente të domosdoshme për rritjen afatgjatë të produktivitetit, si dhe forcimin e rrjeteve të sigurisë, përfshi edhe rishikimin e reformës të sistemit të pensioneve.
Në gjykimin tonë, momenti pozitiv i zhvillimeve ekonomike në vend, si dhe përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian ofrojnë një oportunitet që nuk duhet humbur për implementimin e agjendës së reformave strukturore.
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe financiar gjatë vitit 2025 dhe cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për ecurinë e sektorit në vitin 2026?
Viti 2025 ishte një tjetër vit pozitiv për sektorin tonë bankar. Veprimtaria e tij u zgjerua me ritme të kënaqshme, e mbështetur nga rritja e depozitave të publikut dhe e orientuar drejt kreditimit dhe investimeve në tituj.
Veprimtaria bankare mbeti fitimprurëse, në nivele të afërta me vitin e kaluar. Treguesit e kapitalizimit të sektorit bankar dhe ata të likuiditetit, rezultuan në nivele shumë të mira. Kreditimi ruajti ritmet e larta të rritjes, ku kontributi pozitiv i kreditimit në Lek ishte më i lartë se ai i valutës.
Kredia për individët shkoi kryesisht drejt kredisë për konsum dhe asaj për blerje të pasurive të paluajtshme. Kredia për biznese u përdor kryesisht për kapital qarkullues dhe për investime.
Për vitin 2026, ne presim që ecuria pozitive e veprimtarisë së sektorit bankar të vazhdojë. Ritmet e kreditimit do të vijojnë të mbeten të mira, në kushtet kur kërkesa mbetet e qëndrueshme, e mbështetur mbi ecurinë pozitive të të ardhurave.
Nga ana e ofertës, rritja e depozitave do të mbështesë rritjen e kredisë, ndonëse në këtë drejtim, bankat duhet të konsiderojnë edhe kërkesat për kapital që kërkohen nga kuadri rregullator. Veprimtaria do të vijojë të gjenerojë nivele të mira të fitimit, e mbështetur nga ecuria pozitive e të ardhurave neto nga interesi, dhe të ardhurave të tjera.
Gjatë vitit të ardhshëm, performanca e sistemit financiar dhe e sektorit bankar, si dhe rregullimit dhe mbikëqyrjes së tij, do t’i nënshtrohet vlerësimit profesional të ekipit të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, si pjesë e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP).
Ne presim që ky vlerësim të konfirmojë gjendjen e qëndrueshme të sektorit bankar, dhe të ofrojë drejtimet për përmirësime të mëtejshme. Gjatë vitit 2026, ne presim që të nisin veprimtarinë e tyre të plotë dy banka të cilat në 2025-n morën licencën paraprake.
Në këtë mënyrë, struktura e sektorit tonë bankar do të bëhet më e larmishme, konkurrenca do të rritet dhe mundësitë e zgjedhjes së publikut shqiptar për shërbime bankare do të zgjerohen.
Raporti i kredive me probleme ka qenë në stanjacion gjatë vitit 2025, pas një tendence disavjeçare në rënie. Cilat kanë qenë arsyet dhe a shihni rreziqe për rikthim të rritjes së këtij treguesi gjatë 2026?
Është e vërtetë që raporti i kredive me probleme, pas një rënieje të qëndrueshme në vitet e kaluara, është luhatur gjatë pjesës më të madhe të këtij viti pranë nivelit 4% dhe pritet ta mbyllë këtë vit në një nivel lehtësisht më të lartë.
Moderimi i rënies së treguesit të kredive me probleme ishte i pritshëm, në kushtet e rritjes së shpejtë të kredisë në vitet e fundit, por ecuria e tyre gjatë këtij viti është përcaktuar nga raste të veçanta.
Sidoqoftë, është e nevojshme që bankat të ruajnë vëmendjen në procesin e analizës së aplikimeve për kredi, si dhe gjatë monitorimit të saj.
Në një qasje më të përgjithshme, duhet bërë kujdes që të kontrollohet dhe të moderohet efekti i mundshëm i zgjerimit të shpejtë të kredisë dhe i rritjes së konkurrencës në treg në relaksimin e standardeve të kreditimit.
Gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë aplikoi disa masa kufizuese për kredinë për blerjen e banesave nga individët. Si i vlerësoni rezultatet e deritanishme të këtyre masave dhe çfarë ndikimesh prisni të japin në ecurinë e kredisë për shtëpi në vitin 2026?
Masat që mori Banka e Shqipërisë në maj të 2025-s filluan të zbatohen nga sektori bankar në tremujorin e tretë të vitit. Këto masa synojnë ruajtjen e cilësisë së mirë të ekspozimeve të sektorit bankar në tregun e pasurive të paluajtshme rezidenciale, në kushtet e rritjes së shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme dhe të çmimeve të banesave në vitet e fundit.
Masat konsistonin në vendosjen e kufijve të sipërm mbi dy treguesit e standardeve të kredisë së re për blerjen e pasurive të paluajtshme rezidenciale, konkretisht mbi raportin e vlerës së kredisë ndaj vlerës së kolateralit dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave të kredimarrësit.
Këto masa, të cilat u kalibruan duke u nisur nga struktura ekzistuese e kredisë për blerje të pasurive të paluajtshme rezidenciale në sektorin bankar, u zbatuan duke konsideruar llojin e monedhës dhe qëllimin e përdorimit të pronës së blerë.
Në mënyrë që këto masa të mos paraqisnin një kufizim të tepruar për aplikime specifike që bankat do t’i vlerësonin me interes, atyre iu lejua të kapërcenin kufijtë e përcaktuar në treguesit e përzgjedhur, brenda një kuote të caktuar.
Aktualisht, jemi duke analizuar të dhënat që kanë sjellë bankat për tremujorin e tretë të vitit dhe rezultatet konkrete nuk i kemi ende.
Megjithatë, do të nevojitet më shumë se një tremujor me të dhëna, për të kuptuar drejt ecurinë e ekspozimeve të targetuara dhe efektin e masave. Më tej, rezultatet do të vendosen në kontekstin e përgjithshëm të ecurisë së kredisë dhe të ecurisë së çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.
Në këtë mënyrë do të gjykohet lidhur me nevojën për ndryshimin e këtyre masave, në formën e plotësimit të tyre me masa të tjera ose me rikalibrim të vlerave të kufijve të caktuar. Me kalimin e kohës, ne presim që këto masa të ulin ndjeshëm ekspozimet e bankave që i kanë treguesit e përmendur më sipër mbi vlerat kufi./Monitor





