Policia dyshon se Severjan Tusha nuk u qëllua me thikë, për shkak të një tentative për përdhunim. Dyshimet janë se 20-vjeçarja Manjola Gjonaj i ngriti një kurth Severjanit për ta vrarë.

Sipas “Panoramës”, grupi hetimor ka dyshime se të dy të arrestuarit kanë qenë të lidhur dhe se vajza e ka menduar atë që do bënte. Vajza kishte udhëtuar nga fshati Prosek, ku jetonte me prindërit e saj deri në Kodër- Rrëshen për t’u takuar me 24-vjeçarin Severjan Tusha.

Të dy janë takuar në pyll, 1 km larg shtëpisë së Severjanit. Aty dyshohet se vajza ka pranuar që të kryejë marrëdhënie intime me djalin, por me një kusht. Ajo i ka kërkuar atij që të lidhet me një litar nga duart, e frymëzuar nga skenat e filmave erotikë. Kur Severjani i ka pasur duart e lidhura pas një peme, e reja ka qëlluar në drejtim të tij disa herë me thikë.

Ndërsa ishte me plagë në trup, Tusha i është kundërpërgjigjur asaj, duke e qëlluar me shkelma në fytyrë e kokë. Në përleshje e sipër, djali është qëlluar 5 herë me thikë në trup, ndërsa e reja ka marrë plagë në kokë. Pas ngjarjes, të dy ata u arrestuan nga policia.