Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur historik buxhetin 3.6 miliardë eurosh për vitin 2025. Ai tha se ky buxhet është për familjen, derisa përmendi mbështetjen për gratë, fëmijët, studentët dhe rritjen e pagave në sektorin publik.
Sipas tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë qeveri para tyre. Kurti teksa prezantoi buxhetin për vitin 2025, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se ky buxhet e shikon familjen si tërësi dhe parasheh rritjen e fuqisë blerëse për secilën familje.
Ai nënvizoi se nga ky buxhet përfitojnë bizneset dhe ekonomia. Krahas kësaj, kreu qeveritar thuri edhe lavde për qeverisjen tij, ku tha se gjatë udhëheqjes së tij janë hapur mbi 78 mijë vende pune.
Megjithatë, ai nuk la pa kritikuar edhe Gjykatën Kushtetuese, që sipas tij, disa nisma ligjore janë stopuar. Ai tha se “kushtetuesja më shpesh bën bilanc politik sesa drejtësi”.