Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas marrëveshjes që është arritur për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës në takimin mes kryenegociatorit, Besnik Bislimi dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Kurti tha se pika e katërt e marrëveshjes parasheh një takim mes Bislimit e Petkoviqit, për finalizimin e planit të marrëveshjes bazike dhe aneksit të Ohrit, teksa tregoi edhe planin katërpikësh të tij për sukes të zbatimit të marrëveshjes.
“Për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike, së pari të dy palët duhet ta pranojnë publikisht që marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë që s’ka ndodhur nga pala serbe”.
“Së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotni, gjë që me gjasë ende nuk është e qartë për njërën nga palët”, tha Kurti.
Më tej, Kurti tha se kushti i tretë për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike është “që zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet”.
“Dhe së katërti, që të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga BE-ja”, tha Kurti.
Po ashtu, kreu i qeverisë tha se dakordësia që u arrit në Bratisllavë me BE, do të ndihmojë në vendosjen e barazisë midis palëve, që sipas tij, ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.