Pas largimit të Arben Vitias, është emëruar ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë.
Në një konferencë për shtyp, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Rifat Latifi do të jetë në krye të dikasterit të shëndetësisë.
Latifi ka mbaruar studimet për mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës.
Është mjek dhe profesor i njohur në nivelin ndërkombëtar. Gjatë karrierës së tij ai ka punuar në universitete dhe qendra spitalore me emër në Amerikë, si Texas, Filadelfia, New York, Doha.
Aktualisht, është profesor i kirurgjisë dhe president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikanë për shtetin e Arizonës.
Latifi është krijues dhe implementues i Programit të Telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri, program ky i financuar nga USAID.
Është Laureat i Çmimit pë Arritjen e Shekullit 21 për Shëndetësi nga Programi Computerworld Honors dhe Çmimin Ndërkombëtar për Promovimin e Shëndetit nga Komisioni i Akreditimit të Rishikimit të Përdorimit (URAC), më 2011.
Latifi ka iniciuar e siguruar fonde dhe ka mbikëqyrur tri ekipe kombëtare të programit të telemjekësisë në Evropë dhe Afrikë, për të cilat ai mori çmimin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (ACS) dhe “Pfizer International Surgical Volunteerism 2015”
Latifi ka botuar 9 libra për mjekësinë dhe është autor i mbi 100 artikujve shkencorë. Ai ka kryer specializimin në Kirurgji të Përgjithshme, një vit në Kliniken e Klivelandit, e pastaj ne Universitetin Yale.





