Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur publikisht kryeministrit Albin Kurti në lidhje me debatet rreth hapjes së urës mbi Lumin Ibër.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka adresuar pyetjen publike të Kurtit se “nga cila anë e urës” është ai.

Ai u shpreh se ka pasur përpjekje për të ndarë Pejën dhe Mitrovicën me lum, dhe madje edhe tërë Kosovën, në emër të një shkëmbimi territorial.

“Por, as atëherë e as sot, s’kanë gjetur te unë aleat të ndarjes, e nuk do të gjejnë kurrë,” deklaroi Haradinaj, duke nënvizuar qëndrimin e tij të për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës.

Duke iu referuar pyetjes së Kurtit, Haradinaj shtoi: “Albin Kurti, përmes sejmenëve të tij, ma paska bërë një pyetje publike se “nga cila anë e urës” jam unë! Po pse u dashka që unë të jem në njërën anë të urës! Unë jam ku kam qenë gjithmonë, në çdo milimetër të territorit të Kosovës dhe se tek Ura e Ibrit nuk ka dy anë. Po ju që po pyesni nga cila anë, a po sugjeroni që atë pjesë ta ndani në dysh, apo si e keni hallin?! Ose në cilën anë jeni ju, që ta marrim vesh njëherë e mirë!”

Deklarata e Haradinajt vjen në një kohë kur diskutimet për urën mbi Lumin Ibër janë bërë çështje e nxehtë politike, duke theksuar ndarjet e thella në qëndrimet politike brenda Kosovës.