Në takimin e zhvilluar mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së e SHBA-së në Shkup ka mbajtur fjalën e tij dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti tha në tryezë ku ishte i pranishëm dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që rajoni të integrohet sa më shpejt dhe se duhet të ndalen kërcënimet mes fqinjëve për çështjen e sigurisë.

Kurti shtoi mes të tjerash se marrëdhëniet normale janë kyç për shfrytëzimin e potencialit ekonomik.

“Duhet të jemi konstruktivë në angazhimin tonë dhe në fuqinë transformuese që kemi. Kosova është e gatshme për reforma. Që rajoni të integrohet duhet që kërcënimet e sigurisë të ndërpriten. Kjo nuk mund të ndodhë nëse liria për mallra shfrytëzohet që të mbarten municione. Marrëdhëniet normale janë kyç për shfrytëzimin e potencialit. Në demokraci liberale ka rëndësi sundimi i së drejtës”, tha Kurti.