Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e Kosovës kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
“Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulme, në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Por, njëkohësisht kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës te shok bombat, por edhe të plumbave qofshin ata të automatikëve ose revolverëve”, tha Kurti gjatë një prononcimi për gazetarë.
Deri më tani, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për sulmet ndaj gazetarëve, por edhe për ngjarjet e dhunshme të 29 majit në Zveçan.
Kurti tha se as “as çereku” i të dyshuarve për sulmet në veri nuk janë arrestuar, “prandaj e kemi këtë situatë”.
Në veriun e Kosovës, së fundi janë shpeshtuar edhe sulmet me shok-bomba dhe granata dore. Shpërthimi i fundit në këtë zonë u regjistrua në orët e para të ditës së sotme korrikut në Mitrovicë të Veriut. Shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një shok-bombë.