Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një diskutimi në Bruksel të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS), ka bërë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Nuk kemi plan B. Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj integrimit evropian”, deklaroi Kurti. Ai kërkoi nisjen e procesit teknik të integrimit, përfshirë dërgimin e Pyetësorit për të vlerësuar kapacitetet institucionale dhe ligjore të vendit dhe përgatitjen e një mendimi të bazuar në merita për statusin e kandidatit.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, por mbetet i vetmi vend i rajonit pa status kandidat. Ndërsa vende si Shqipëria dhe Bosnja kanë pritur 5-6 vite për këtë status, Ukraina dhe Moldavia e morën atë brenda pak muajsh.

Kurti theksoi përparimet e Kosovës në përmbushjen e reformave të kërkuara nga BE, përfshirë përputhjen me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të bllokut dhe mbështetjen për Ukrainën, përfshirë sanksionet kundër Rusisë.

“Kosova është një partner i besueshëm i BE-së dhe i përkushtuar ndaj vlerave të saj,” u shpreh Kurti, ndërsa i bëri thirrje Brukselit të dërgojë sinjale të qarta që e shohin Kosovën si pjesë të së ardhmes evropiane.

Ai kritikoi gjithashtu vonesat në procesin e zgjerimit, duke theksuar se mosbesimi i qytetarëve ndaj BE-së po rritet, veçanërisht tek të rinjtë. Procesi i anëtarësimit mund të zgjasë nga 8 deri në 14 vjet, siç ka ndodhur me shtetet e tjera, për shkak të kritereve strikte si stabiliteti demokratik, sundimi i ligjit dhe përshtatja e legjislacionit.

Rruga e Kosovës pritet të jetë më e ndërlikuar, pasi është vendi i parë që aplikon për anëtarësim në BE pa u njohur nga të gjitha vendet anëtare. Aktualisht, Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.