Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, ku ka thënë se në Serbi janë duke u bërë plane të reja për ta sulmuar Kosovën. 

Sipas tij, sulmi në Banjskë ishte porositur nga shteti serb i cili u ka dhënë urdhra peronave që e kanë udhëhequr këtë sulm ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, raporton Klan Kosova. 

“Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të këtij viti, i planifikuar dhe i organizuar nga shteti serb, u ishte kumtuar një ditë më herët, pra saktësisht para tre muajve në mjediset e kompanisë ‘Novi Pazar Put’”, ka thënë Kurti. 

Sipas tij, automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë ishin të përqendruara në këtë lokacion. 

“Kjo kompani e cila është në listën e sanksioneve të ShBA-së, është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç. Ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Alensadar Gerbovic me pseudonimin Gërba. Ai ka marrë pjesë në luftërat e Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet dhe kryetar i Komunës së Pozhegës në vitin 2008”, ka shtuar ai. 

Më tej, Kurti ka theksuar se një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë – Novi Pazar me gjatësi prej 18 kilometrash. 

“Gjatë vizitës ai e kishte lëvduar punën e drejtorit dhe i është referuar atij si njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës për rrugën e cila u përurua tre muaj para kohe me nxitim. Presidenti i Serbisë nga aty deklaroi që e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua të cilët sipas tij, po kërkojnë arsye për konflikte e sulm ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi më 24 shtator”, ka thënë kryeministri Kurti. 

Më tej, kryeministri ka shtuar se pas sulmit terrorist dhe kriminal më 24 shtator, Radoiçiqi u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. 

“Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, Radoiçiqi është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s.“ 

Sipas tij, ambientet e firmës ‘Jabllanovica’ në Rashkë ngjashëm me ato të ‘Novi Pazar Put’ po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve shpërthyese për sulmet e ardhshme nga Radoiçiqi dhe grupi i tij. 

“Por realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarët e grupit ‘Mbrojtja Civile’ që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediqin. Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2000 euro në muaj”, ka thënë shefi i qeverisë. 

Më tej, ai ka thënë se deri në shtator të këtij viti, objektet në fjalë janë shfrytëzuar nga turistët me qera. 

“Qendra për ekologji dhe zhvillimin e sportit që gjendet në brigjet e liqenit të Ujmanit dhe hotel ‘Rajska Banja’, janë dy pika tjera që janë përdorur nga Radoiçiqi e të cilat janë ndërtuar me fonde të Qeverisë së Serbisë. Njëra ishte vizituar nga Vuçiçi, e tjetra nga Bërnabiç”, është shprehur Kurti. 

“Njëkohësisht një grup prej rreth 80 personash të gjithë të larguar nga Kosova kanë vazhduar ushtrimet në poligonin ‘Zimovnin’ në afërsi të Rashkës. Ky poligon për nga madhësia radhitet menjëherë pas atij ‘Poslanklivadle’ dhe aty ushtria serbe kryen ushtrime të ndryshme përfshirë edhe gjuajtje me tanke për shkak të hapësirës së gjerë që ka rrotull”, ka thënë ai. 

Tutje, Kurti ka potencuar se trajnimet drejtohen nga ushtarakët e pensionuar serbë të cilët kanë grada të larta ushtarake dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën pasi që mbase edhe kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës në Kosovë. 

“Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërorë dhe për snajperistë. Gjatë muajit nëntor 2023, ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të Zubin Potokut me qëllim marrjen e vilës së Radoiçiqit në brigjet e Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”, ka shtuar Kurti. 

“Plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovës, kemi marrë vesh se ka ndryshuar pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes PK-së dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë dhe masave të tjera të ndërmarra nga ne. Ndërkaq në poligonin e ushtrisë serbe në Peshter i cili gjendet në rajonin e Sanxhakut kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtarëve të mbrojtjes civile që kanë qenë pjesëmarrës në sulmin në Banjskë”, kë thënë ai më tej. 

Ky grup, sipas Kurtit, kishte planifikuar sulme ndaj Policisë së Kosovës pas përfundimit të zgjedhje në Serbi në lokacione kufitare që lidhen me rrugët alternative. 

“Për këtë qëllim raportohet të ketë pasur lëvizje edhe nga ushtria e Serbisë e cila ka stacionuar ushtarët e saj në disa pika në afërsi të kufirit me Kosovën në lokacione ku parashihen këto sulme. Pjesëtarët e grupeve terroriste që kanë ikur nga veriu janë grumbulluar edhe në një vend të tjetër të quajtur Goc, një bjeshkë afër Kralevës ku është e vendosur një nga bazat më të mëdha të xhandarmërisë serbe në rajon”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Albin Kurti./klankosova