Në bashkëbisedim me presidentin federal të Zvicrës, Alain Berset është theksuar shkalla e lartë e integrimit të qytetarëve nga Kosova në Zvicër

Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në Pallatin Federal në Bernë nga presidenti i Federatës së Zvicrës, Alain Berset. Pas takimit ai ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur për përmbajtjen e takimit, raporton albinfo.ch nga Berna.

“Me presidentin Berset njihemi që nga pjesëmarrja ime në Forumin e Davosit, në fillim të vitit. Me të kemi biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të dy vendeve, për rritjen e madhe të këmbimit tregtar, që në vitin 2022 ka qenë për një të tretën më i madh se një vit më parë”, ka deklaruar Kurti.

“Pastaj është nënvizuar edhe fakti se remitancat nga bashkatdhetarët tanë në Zvicër përbëjnë një të pestën e të gjitha remitancave që vijnë në Kosovë. Po ashtu, në bashkëbisedim me presidentin Berset është theksuar shkalla e lartë e integrimit të qytetarëve nga Kosova në Zvicër etj”, ka shtuar tutje.

Kryeministri Kurti, ka folur edhe për agjendën e mëtejshme të vizitës së tij në Zvicër.
“Tani do të kemi një vizitë në Muzeun e Einsteinit, këtu në Bernë ndërsa sonte në mbrëmje do të takoj kandidatët me rrënjë shqiptare për zgjedhjet federale që mbahen më 22 tetor. Ne inkurajojmë komunitetin e këtushëm shqiptar që të marrë pjesë në mënyrë masive në këto zgjedhje, pavarësisht nga partia që do të votojnë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka folur edhe për aktualitetin politik në Kosovë.
“Ne jemi në të drejtën tonë. Në fjalën që kam mbajtur më 14 shtator para mediave në Prishtinë kam sqaruar se në dialogun e fundit ne si Kosovë kemi bërë tre propozime ndërsa Serbia asnjë. Në këto rrethana, ne duhet t`i përmbahemi kornizës së marrëveshjeve që kemi marrë si obligim dhe jo të marrim detyrime të reja”, ka deklaruar Kurti.