Jo vetëm Gjykata Kushtetuese ka dalë kundër familjeve që jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve, por nga ana tjetër edhe Banka Botërore i ka kthyer përgjigje negative Këshillit Bashkiak të Durrësit, për të favorizuar me 20 pikë këtë kategori në banesat sociale. Në këto kushte, kur familjet që jetojnë në këto banesa gjenden përballë “zjarrit” se nga momenti në moment mund t’u kërkohet nga zyra e Përmbarimit të lënë shtëpitë ku banojnë, shoqata është duke përgatitur dosjen për ta dërguar çështjen në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Myftar Kurti, kryetar i kësaj shoqate për Durrësin ka deklaruar se pa dhënë një vendim Gjykata e Strasburgut asnjë prej rreth një mijë familjeve që banojnë në shtëpi ish pronarësh nuk do të dalin nga banesat ku janë strehuar dekada më parë. “Aktpadia është duke u përgatitur nga një grup juristësh dhe avokatësh dhe do të dërgohet në Strasburg. Ne e konsiderojmë shkelje të të drejtave të njeriut, daljen nga shtëpitë në mënyrë arbitrare. U japim të drejtë ish pronarëve për pronat e tyre, por qeveria fillimisht duhet të zgjidhë problemin mbarë kombëtar të 3200 familjeve, një mijë prej të cilave janë në Durrës”,- tha Kurti.

Vendimi i qeverisë për shtyrjen e afatit për aplikim kredie me interes zero në bankë është krejtësisht i dështuar sipas tij. “Nuk ka asnjë mundësi të përfitohet sepse 17 familje që kanë aplikuar në bankë kanë marrë përgjigje negative. Asnjë prej tyre nuk përfiton kredi të butë, për shkak se kriteret e vendosura në bankë janë të pa arritshme nga ana e familjeve, të cilat nuk kanë mundësi ekonomike për të marrë kredi”,- thotë ai.

Kurti bën të ditur gjithashtu se aktpadia që do t’i dërgohet për shqyrtim Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut ka bazë të fortë ligjore, sepse akti normativ i qeverisë shqiptare, në këtë gjykatë do të apelohet, me pretendimin se në vitin 1993 me ligjin nr. 7652 qeveria u dha nga një banesë të gjithë qytetarëve duke u dhënë mundësi t’i privatizonin ato, ndërkohë që të njëjtën gjë ua mohoi familjeve të strehuara në shtëpi ish pronarësh. Në atë kohë banesat shtetërore u privatizuan me 150.000 lekë. 

“Kërcënimi për ne si qiramarrës është që nuk kemi bërë aplikimin në BKT. Por edhe nëse e bëjmë aplikimin nuk kemi asnjë shans që të përfitojmë, sepse kriteret e bankës janë shumë të rrepta. Me vendim gjyqi e në bashkëpunim me pronarin do të na nxjerrin nga shtepitë nëse nuk i kërkojmë të drejtat tona deri në Strasburg”,- përfundoi Kurti.