Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës nuk mund të zhvillohen pa u shtensionuar situata në atë zonë. Por, ai shtoi se Kosova është duke i kryer përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në këto katër komuna.

“Nuk besoj që dikush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të ketë zgjedhje në veri, por natyrisht që ne e vazhdojmë punën edhe më tutje. Ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme”, tha Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut – janë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar dy muaj më parë.

Në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – janë shqiptarë. Serbë lokalë kanë protestuar që nga 29 maji kundër hyrjes së tyre në objektet komunale.

Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës është “e interesuar që zgjedhjet të mbahen sa më parë”, por shtoi se “kjo që do të ndodhë është jashtë përvojës tonë institucionale”.

“Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë aq e sigurt saqë të jetë e pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, tha Kurti, gjatë një konference për media.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Ky peticion, sipas Krasniqit, më pas do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

“Në këtë referendum duhet të marrin pjesë të paktën 50 për qind e trupës votuese, plus një. Kështu që kjo është baza ligjore që del dhe buron nga Ligji për vetëqeverisje lokale”, tha Krasniqi.

Më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte thënë se nuk është i sigurt që ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e tyre.

Gjatë konferencës, Kurti gjithashtu tha se pret që masat ndëshkuese të ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës të tërhiqen sa më shpejt.

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Burimet diplomatike nga BE-ja i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se heqja e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Prishtina dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në veri.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe i dërguari i BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, arritën një dakordim për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, gjatë një takimi më 10 korrik në Bratisllavë.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

10 korrik 2023

HapiVeprimiKoha
1Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.Java e parë
2Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.Nga java e parë, në vazhdimësi
3Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.Java e dytë

Burimi: Qeveria e Kosovës

Kurti tha se “në veri të Kosovës, nuk mund të mohohet një lloj deeskalimi që tashmë ka ndodhur”, por shtoi se tani Qeveria e Kosovës është e shqetësuar nga “potenciali i ri-eskalimit”.

“Ri-eskalimi nuk varet prej neve. Ju e keni garanci Qeverinë e Kosovës, organet tona shtetërore, mua si kryeminstër që me asgjë, asnjëherë, askund nuk kontribuojmë në eskalim”, tha Kurti, duke shtuar se “nëse ka eskalim, atëherë adresa është Beogradi zyrtar”.

Një ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet në Kosovë nuk duan zgjedhje.

“Lërini të bëjnë punën e tyre, por ata as nuk i duan ato zgjedhje, nuk duan asgjë”, tha Vuçiq pas ndjekjes së fazës përfundimtare të trajnimit të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura Serbe./REL