29 nëntor 2015 – Hedije Ademi, avokatja e Albin Kurtit, pritet të dorëzojë një ankesë ndaj caktimit të masës së paraburgimit për deputetin dhe themeluesin e lëvizjes Vetëvendosje.
Avokatja ka bërë të ditur për gazetën “Zëri”, se ankesën, sipas ligjit, ka të drejtë që ta paraqesë brenda 24 orëve nga koha e marrjes së vendimit për mbajtjen e klientit të saj në paraburgim. Ajo ka sqaruar se do ta dorëzoj gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ankesën.
Gjyqtari Vehbi Kashtanjeva vendosi masën e arrestit me burg për Kurtin pas kërkesës së prokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Fikrije Fejzullahu.
Kurti u arrestua në zyrat e lëvizjes Vetëvendosje, ku hynë forca të shumta policie, të armatosura rëndë. Policia arrestoi edhe afro 100 aktivistë të tjerë.
Albin Kurti akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në parlament dhe urdhër –arresti për të ishte lëshuar 2 javë më parë.
Në paraburgim për të njëjtën akuzë gjendet edhe deputetja e AAK, Donika Kadaj Bujupi. Në kërkim janë edhe deputetët Albulena Haxhiu e Faton Topalli.
/portali DurresLajm/