Kryeministri i Kosovës, Albin Kuri ka reaguar për lirimin e tre policëve të cilët u rrëmbyen nga autoritetet serbe rreth dy javë më parë në Veri të vendit.
Kurti me anë të një postimi në rrjetet sociale, shkruan se është i lumtur që policët po kthehen në shtëpi, teksa thekson se rrëmbimi është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe se agresioni serb duhet dënuar.
“Konfirmojmë se tre policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata po kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar Kurti.
Kujtojmë që tre policët e Kosovës që u rrëmbyen rreth dy javë më parë në Veri të vendit janë liruar nga autoritetet serbe. Mesditën e 14 Qershorit, të tre policët ishin duke patrulluar në zonën e tyre brenda kufirit të Kosovës, në vendin e quajtur Tresave/Bare. Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, janë lënë të lirë nga Gjykata e Kraljevës.
Përgjatë këtyre ditëve, ndërkombëtarët kanë apeluar fort që tre policët të liroheshin, si një kusht i Qeverisë së Kosovës për t’u rikthyer te dialogu me Serbinë. Po ashtu, rrëmbimi i tyre nga forcat speciale të ushtrisë serbe “Kobra”, ka qenë i paligjshëm dhe brenda kufirit të Kosovës.





