Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Rusia po synon të ndezë një vatër krize “në oborrin e Bashkimit Evropian”, me qëllim që, sipas tij, të shpërqendrojë NATO-n.
Përmes një postimi në Facebook Kurti tha se po vërehet gjithnjë e më shumë “kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale”.
Deklaratat e Kurtit se Rusia dëshiron të nxisë një krizë të re, vijnë disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Moska synon të nxisë konflikt midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. [Së pari kemi pasur] Lindjen e Mesme – shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, tha Zelensky më 15 nëntor.
Shqetësimin e Zelenskyt e ndau edhe BE-ja, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit i thanë Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni po punon me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe me partnerët evropianë, që të avancohet qeverisja, sundimi i rendit dhe ligjit dhe të kryen reformat kundër korrupsionit “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe të sjellin paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.
Ndërkaq, sipas Kurtit, synimi i Serbisë është përmbushja e ambicioneve territoriale ndaj fqinjëve të saj. Në këtë kontekst, ai përmendi grupin e serbëve që kreu sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një rreshter i policisë.