Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nderuar viktimat e masakrës së fshatit Kotlinë në Kaçanik. Ai kujtoi ngjarjet tragjike të 24 marsit 1999, kur Brigada e Mekanizuar 243 e Ushtrisë së Jugosllavisë, me ndihmën e njësive speciale të policisë, e rrethuan fshatin.

Pas maltretimesh të tmerrshme, policia serbe vrau fillimisht tre të moshuar dhe ua dogji trupat. Më pas, në mesditë, gratë, fëmijët dhe të moshuarit u morën dhe u dërguan me kamionë në Kaçanik, ndërsa burrat u dërguan në Ferizaj dhe, pas torturave, i dëbuan drejt Maqedonisë.

Pothuajse të gjitha shtëpitë e fshatit Kotlinë, përfshirë shkollën dhe ambulancën, u dogjën. Ushtarët serbë i morën 35 djem të rinj dhe i dërguan në një zonë malore të fshatit. Gjashtë prej tyre shpëtuan, ndërsa 22 të tjerët u vranë. Trupat e viktimave u hodhën në dy puse dhe më vonë, pas luftës, u gjetën nga ekipe të mjekësisë ligjore në vitin 1999, të cilat konstatonin varreza masive.

Në vitin 2011, Vllastimir Gjorgjeviq, një ish-zyrtar i lartë i policisë serbe, u akuzua dhe u dënua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) për përgjegjësi në krimet në Kotlinë, përfshirë vrasjen e shqiptarëve në Kosovë. Fillimisht ai u dënua me 27 vjet burg, por më pas, në vitin 2014, Dhoma e Apelit e ICTY-së ia uli dënimin në 18 vjet.

Kurti, në postimin e tij në Facebook, theksoi se Serbia do të mbetet përgjegjëse për të gjitha krimet e kryera në Kosovë, si para ashtu edhe gjatë luftës, para drejtësisë vendore, ndërkombëtare dhe historisë moderne të Evropës. Ai përfundoi duke nënvizuar se viktimat e Kotlinës do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë, përkrah atyre që dhanë jetën në luftën për liri.