Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thekson se Serbia është operatori i vetëm i armëve kineze në Evropë, e cila është duke shfaqur hapur agresion të dhunshëm ndaj Kosovës.

Ne një postim në rrjetin social X Kurti ka dhënë detaje rreth armëve kineze të përdorura nga ushtria serbe.

“Sistemi raketor FK-3 është një nga armët kineze të përdorura nga Ushtria serbe, duke përfshirë edhe dronët CH-92. Kjo e bën Serbinë operatorin e parë dhe të vetëm të armëve kineze në Evropë duke shfaqur hapur agresion të dhunshëm ndaj Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Më herët në një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg Kurti foli për praninë e 48 bazave operacionale serbe përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të këtij kufiri”.

Kryeministri Kurti listoi sistemet ushtarake të Serbisë që përfshijnë sistemin e modernizuar të raketave.

Ai tha se sistemi FK-3 është sistem raketor kinez, me të cilin në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që operon me armë kineze, e që përfshinë edhe dronët luftarak CH-92. Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe”.