Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkuar në Kroaci dhe ka parë nga afër të plagosurit kosovarë të aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e së dielës pranë qytetit Brodi.

Duke folur për mediat jashtë spitalit, Kurti e konsideroi ngjarjen tepër të rëndë, por nga tjetër falenderoi kryeministrin kroat Andrej Plenkovic për gatishmërinë që kishte treguar për të plagosurit kosovarë dhe për bashkëpunimin e ofruar.

“Vizitova të gjithë pacientët nëpër dhomat e spitalit përfshirë edhe ata dy që janë në kujdesin intensiv dhe i falenderoj edhe menaxhmentin e spitalit por edhe profesionistët shëndetësorë për kujdesin e treguar dhe për angazhimin e pakursyer. Qindra mijëra qytetarë të vendit tonë kthehen gjatë Verës për pushime në vendlindje, dhe shteti ynë, ekonomia jonë, mirëqenia e tillë çfarë e kemi varet shumë prej tyre, prandaj kjo tragjedi është tejet e rëndë. E duke iu falënderuar përkujdesjes dhe solidaritetit këtu bashkë do t’ia dalim më kollaj dhe më shpejtë, prandaj edhe njëherë ngushëllime familjeve të të vdekurve dhe faleminderit Kryeministrit Plenkovic”, ka thënë Kurti.