Ndonëse shpalli falimentin për ristrukturim, grupi i fuqishëm turk “Kyrym” (Kürüm) vazhdon punën në kombinatin metalurgjik të Elbasanit për prodhim hekuri ndërtimi. Për shkak të mungesës së skrapit, këtë të fundit e siguron në vende të ndryshme, përfshirë dhe Izraelin.
Anija 39-vjeçare me flamur turk “Efe Murat” po sjell në portin e Durrësit 5 600 tonë skrap për llogari të kompanisë turke metalurgjike “Kyrym” (Kürüm), njofton dispeçeria e Autoritetit Portual Durrës. Anija do të shkarkohet nga dy kompani stivadore, ajo gjermane “EMS APO” dhe shqiptarja “Liburnet 1” në kalatat nr. 5 dhe 10. Anija ka gjatësi 96.53 m dhe gjerësi 16.01 m, me tonazh gjithsej (deduejt) 5 786 tonë. Është ndërtuar në vitin 1977 nga kantieri danez “Danyard” në Frederikshavn, dhe është në pronësi dhe menaxhim të kompanisë turke të Stambollit “Efemay Denizcilik”.
Info
Më 18 gusht 2016 në portin e Durrësit ndodheshin për shkarkim 4 anije, tri nga të cilat kishin 7 518 tonë grurë, llamarina, çimento dhe 543 copë kontejnerë. Ndërkohë që priten të mbërrijnë edhe 5 anije të tjera: me vaj ushqimor (1 849 tonë), makineri (942 tonë), tuba çeliku (4 599 tonë), melaninë (4 900 tonë), grurë (3 136 tonë).





