Kandidatët për nominimin republikan mbesin kështu katër: Mitt Romney, Newt Gingrich, Ron Paul e Rick Santorum, sipas radhës së preferencave në sondazhe.
Mitt Romney, “favoriti që nuk i pëlqen njerëzve”
Është republikani favorit në sfidën kundër Obamës, aq shumë i favorizuar saqë gruaja e tij e prezanton duke thënë: “Ja njeriu që do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA”. Vetë Mitt Romney përdor tone triumfaliste: “Unë do të shpëtoj shpirtin e Amerikës!” ose “Së bashku do të rindërtojmë madhështinë e Amerikës”. Për Barack Obamën thotë se “katër vjet më parë premtonte ndryshimin, por sot politika e tij është një falimentim dhe e ardhura mesatare e amerikanëve ka zbritur me 10%. Ky është një president që zgjohet çdo mëngjes dhe mendon: mund të shkojë edhe më keq. Ky nuk është një qëndrim amerikan. Mentaliteti amerikan don që gjërat duhet të shkojnë më mirë dhe do të shkojnë më mirë”. Dhe përsëri: “Obama don të transformojë Amerikën në një shtet asistencialist të tipit europian. Por unë do të restauroj vlerat e këtij kombi. Nëse krahasohet e ardhura mesatare e amerikanëve me mesataren e BE, e jona është 50% më e lartë. Arsyeja është e thjeshtë dhe duhet kërkuar në parimet themelore të ekonomisë sonë. Disa qeveri europiane kanë vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, duke çuar bilancet e tyre publike në kufirin e falimentimit. Obama don një shoqëri ku qytetarët të varen nga shteti, ku sektori publik të marrë nën kujdes cilindo nga djepi deri në varr. Por forca e Amerikës ka qenë gjithmonë një tjetër: jemi kombi i lirisë dhe i oportuniteteve”. Duke qenë i fesë mormone, Romney nuk pi kurrë alkool as kafe, dhe gruaja e tij Ann mban në shtëpi rezerva ushqimore të mjaftueshme për të përballuar një zi buke prej tre muajsh, ashtu siç është zakoni në komunitetin e tyre të besimtarëve. Romney shmang argumentin, por roli i tij fetar (që i ri qe misionar në Francë, më vonë deri edhe shefi i një dioqeze në Boston) është një prej pengesave për t’u kapërcyer në këtë fushatë elektorale, sepse evangjelistët, për shembull, historikisht kanë konsideruar mormonët si një sekt heretik apo deri edhe demoniak. Megjithatë, mormoni Romney ka marrë një ndihmë të papritur nga bota katolike, në një fushatë të dominuar fuqishëm nga feja. Pesë ish ambasadorë amerikanë pranë Vatikanit i kanë garantuar mbështetjen zyrtare të tyre, një akt që dobëson katolikët Rick Santorum dhe Newt Gingrich. Në letër, ish ambasadorët pohojnë se janë “të bashkuar” në mbështetjen e kandidaturës së Romney “për angazhimin e tij dhe mbështetjen e tij për vlerat që i gjykojmë përcaktuese tek një lider kombëtar, siç janë pozicioni i tij kundër abortit dhe mbrojtja e martesës dhe e familjes”. Por tema e nxehtë janë akuzat që vetë rivalët e tij të së djathtës i bëjnë karrierës së tij si financier multi-milioner. Newt Gingrich e quan “një kapitalist-skifter”, fajtor se ka “copëtuar ndërmarrjet, pushuar nga puna mijëra punëtorë, vjedhur fondet e tyre të pensioneve”, kur Romney ishte në krye të grupit “Bain Capital”, nga 1984 deri në 1998. Por Romney justifikohet: “Në Bain Capital kemi mbështetur shumë ndërmarrje që përgjithësisht kanë krijuar më shumë se njëqind mijë vende pune. Shtypi ka folur për raste ku janë pushuar nga puna disa mijëra. Çdo pushim është një tragjedi, por në sektorin privat ka ndërmarrje që rriten dhe kanë sukses, të tjera që për të mbijetuar duhet të reduktohen, të bëjnë sakrifica për t’u bërë më të forta”. Dhe garanton se “ndërsa Obama ka akumuluar një borxh publik më të lartë se i të gjithë paraardhësve të tij të marrë së bashku, unë do t’a shkurtoj, e do të arrij barazimin e bilancit. Me mua president, Amerika do të kthehet destinacioni i preferuar i investitorëve dhe i novatorëve”.
Newt Gingrich, kandidati “mediatik” që bashkon dhe ndan
Ish president i Dhomës, Newt Gingrich ështëprotagonist i jetës politike amerikane që nga koha e Ronald Reagan dhe ka qenë kundërshtar i fuqishëm i Bill Clinton. Gjatë zgjedhjeve primare të South Carolina, më 22 janar, Gingrich ka arritur një hov që dukej i pamundur një javë më parë: jo vetëm që ka fituar mbi Romney, por ka rifutur në lojë të gjithë ndeshjen republikane për të seleksionuar kandidatin që do të përballet me Barack Obamën në nëntor. Gingrich ka ndërtuar fitoren e tij me dy ofensiva të shkëlqyera, dy aksione me efikasitet të rrallë. Ka qenë ai i pari që ka ngritur fushatën kundër favoritit Mitt Romney, duke e sulmuar për pasurinë e tij dhe mbi situatën tatimore të tij. Gingrich ia ka dalë me ndihmën e një miku miliarder (pronar i “Casino Sands” të Las Vegas), që ka paguar një fushatë televizive “negative”, nëpërmjet spoteve që përshkruajnë Romney si një financier-skifter, i cili në krye të grupit “Bain Capital” ka akumuluar qindra milionë përfitime duke shkatërruar ndërmarrjet, duke i shitur ato pjesë-pjesë dhe duke pushuar nga puna mijëra njerëz: nuk është një prezantim ideal për atë që don të udhëheqë Amerikën jashtë nga kriza ekonomike. Për më tepër Gingrich ka provokuar Romney në të gjitha debatet televizive, duke i kërkuar publikimin e deklarimeve të të ardhurave të tij, duke e vënë në siklet dhe duke bërë të humbasë konsensuset me shumë shpejtësi. Kështu, për të mundur Romney, Gingrich i është dashur të përdorë argumente të së majtës: kundër privilegjeve fiskale të të pasurve dhe kundër kapitalizmit spekullativ të financierëve që shkatërrojnë biznese dhe vende pune. Por kjo i krijon pakënaqësi tek republikanët, sepse kapitalistët janë të domosdoshëm për mbledhjen e fondeve… Goditja tjetër fituese e Gingrich ka qenë sulmi ndaj mass-medias. Në debatin e fundit televiziv u pyet nga John King i CNN mbi akuzat e ish gruas së dytë, Marianne, e cila ka bërë të ditur detaje pikante mbi tradhëtitë e burrit para divorcit. Në një shtet ku 60% e republikanëve janë evangjelistë, zakonisht të papajtueshëm mbi çështjet morale, Gingrich do të mund të fundosej nga këto shpallje. Përkundrazi është hedhur në sulm duke sulmuar mediat “elitare të së majtës”, “të zëna me punë për të shkatërruar republikanët dhe për të rizgjedhur Obamën”. Publiku në studio gjatë debatit CNN i ka kushtuar një duartrokitje të gjatë, dhe ai moment është gjykuar si një kthesë e vërtetë në fushatë. Për bazën republikane prioriteti është gjetja e njeriut të duhur për të mundur Obamën, dhe nëse tani duket e bindur se ky njeri mund të jetë Gingrich, është pikërisht falë efikasitetit të tij të jashtëzakonshëm në debatet televizive. Kandidati ka njoftuar se do të sfidojë Obamën në “shtatë debate televizive me nga tre orë secili”. Por, kryesia republikane i frikësohet Gingrich sepse e njeh mirë: megaloman, karakterial, është nga ata që rrëshqet papritur dhe mund të shkatërrohet me të njëjtën shpejtësi me të cilën është ngritur. Në parti shumë vetë e urrejnë sepse kujtojnë manitë e tij diktatoriale kur ishte president i Dhomës. Është një personazh i aftë të katalizojë antipati të fuqishme mes demokratëve dhe edhe mes të pavarurve të moderuar.
Ron Paul, liberali i vjetër që i pëlqen të rinjve
Është më i vjetri mes kandidatëve për nominimin republikan, por Ron Paul quhet si “Alternativa” nga Washington Post. Ish deputeti i zgjedhur në Texas është në fakt 76 vjeç. Me fe protestante batiste, ka qenë me vite eksponenti më i njohur i krahut liberal i të djathtës, për të cilin kandidoi për presidencën e SHBA në 1988. U kandidua për republikanët edhe në 2008 me pozitën anti-lufte në Irak. Idetë e tij super-liberiste mbahen nga disa si baza ideologjike e ndjekësve të lëvizjes “Tea Party” përsa i takon uljes së taksave dhe të kufizimit të ndërhyrjes së qeverisë federale(për të mos u ulur në kompromise me shtetin, Ron Paul nuk tërheq as pensionin e tij të deputetit). I moshuari rebel dhe ultraliberist veçohet për koherencën e mesazhit të tij anti-shtetëror: kaq radikal saqë në disa tema duket anarkik. Për më tepër, Paul është kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane jashtë shtetit dhe propozon tërheqjen e ushtarëve amerikanë jo vetëm nga Iraku e Afghanistani, por nga e gjithë bota. Propozimi i tij më tronditës është eliminimi i menjëhershëm i Federal Reserve. Dhe në fakt Ron Paul është i vetmi mes kandidatëve republikanë i cili gëzon simpatinë e lëvizjes së të majtës “Occupy Wall Street”. Prandaj aimund t'i besojë një baze besnikësh, e përbërë nga shumë të rinj, që është një nga strukturat më të organizuara të kësaj fushate.
Rick Santorum, italo-amerikani që bën të ëndërrojë të djathtën amerikane
Gjatë zgjedhjeve të brendshme në Iowa, ish senatori i Pennsylvania ka humbur për vetëm tetë vota më pak sesa kandidati favorit Mitt Romney, por ai i pëlqen njerëzve. Kjo mrekulli është rezultati i një modeli politik antik, tradicional: asamble nëpër lagje dhe takime derë më derë, gati një anakronizëm në epokën e Facebook dhe Twitter. CNN e ka quajtur Rick Santorum “Rocky Balboa” dhe atij i pëlqen krahasimi me boksierin italo-amerikan i panjohur, të interpretuar nga Sylvester Stallone, i cili e fillon nga zero dhe arrin të sfidojë kampionin e botës. Është 53 vjeç por duket 35, avokat, bir i një imigranti nga Riva del Garda dhe i një nëne italo-irlandeze, Santorum ka arritur mrekullinë e fitimit të zemrave të të djathës krishtere protestante, ai që është super-katolik, në këto zgjedhje në të cilat feja zë një rol themelor. Kush e njeh e përshkruan si “një konservator të pastër, pa kompromise”. Mbështetësit e tij admirojnë pikërisht “besimin e tij fetar, pastërtinë e tij, integritetin e tij, familjen e tij”. Është kandidati ideal për të fituar në zonat me popullsi krishtere (protestante apo katolike) dhe midis bujqve dhe pensionistëve. Bashkimi i bazës krishtere mund të ndihmojë kandidatët për të fituar zgjedhjet e brendshme, por mund të rezultojë i dëmshëm në zgjedhjen përfundimtare për Shtëpinë e Bardhë, kur duhet mbledhja e votave të të lëkundurve që grumbullohen drejt qendrës politike, as me republikanët as me demokratët. Pikërisht “pastërtia” e Santorum është një thikë me dy prerje në sfidat e ardhshme: avokati nuk është vetëm anti-abort, por është edhe anti-gay, një pozicion që mund t'i kushtojë shtrenjtë midis zgjedhësve të rinj. Për më tepër, Santorum ka quajtur “fashizëm” programet federale për asistencë ndaj të papunëve dhe ndaj atyre që jetojnë nën pragun e varfërisë (kurat falas të Medicaid, tollonat ushqimorë “Food Stamps” dhe të gjitha ndihmat e Social Welfare). Në fund, për politikën e jashtme, “Rocky Balboa” kërcënon “bombardime mbi Iran, në akord me Izraelin”, dhe këto mendime e vënë kundër edhe atij krahu të të djathtës që synon tërheqjen e Amerikës nga luftrat ndërkombëtare.