Pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie, dorëheqje e pranuar tashmë nga kryeministri Rama, nisin lëvizjet politike.

I pari i qeverisë, Edi Rama ka zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit një takim për 1 orë me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, për t’u konsultuar për zgjedhjen e një emri të ri në postin ministror.

Sipas “BalkanWeb”, dy janë skenaret e diskutuara për mënyrën se si do të zgjidhet pasuesi i Lleshajt.

Skenari i parë është ai i zgjedhjes në këtë post të një prej deputetëve aktualë të PS, që ta ketë më të lehtë edhe firmosjen e dekretit nga Presidenti Meta. Kujtojmë se ka pasur problematika dhe përplasje të forta sa i përket momentit të dekretimit të Sandër Lleshajt në këtë post, apo Gent Cakajt.

Ndërsa skenari i dytë që përflitet, është ai i delegimit të pushteti te një nga zv.ministrat aktualë, pra të shkojë në zgjedhje jo me një ministër të Brendshëm, por me një ndër 4 zv.ministrat.