Për të disatën herë, banorët e pallatit të ndërtuar nga kompania “Desla” kanë dalë për të protestuar për fatin e godinës së tyre.
Pak javë më parë, pallati me shkallë dëmi DS4 është përfshirë nga bashkia Durrës në listën e katër godinave të para që do të riforcohen, në kuadër të procesit të Rindërtimit.
Por një pjesë e banorëve vazhdojnë të ngrenë zërin e tyre, pasi kërkojnë shembjen e godinës 11 katëshe dhe çështjen e kanë çuar në prokurori. Instituti i Ndërtimit ka hartuar një akt-ekspertizë të thelluar për pallatin shumëkatësh dhe ka vendosur për riforcimin dhe jo shembjen e tij. Por sipas banorëve, akt-ekspertiza nuk tregon dëmtimet reale që ka pësuar pallati, ndërsa nga ana tjetër, godinës nuk i është bërë kolaudimi, gjë që pranohet edhe në përgjigjen që bashkia Durrës u ka dërguar banorëve.
Banorët përsëritën sot apelin që të bëhet drejtësi për pallatin e tyre dhe të mos u rrezikohet jeta në të ardhmen me riforcime të sforcuara.
“Të jemi pjesë e procesit të ekspertizës dhe vendimmarrjes për pallatin”,– tha njëri nga banorët.
“Kush do me na gropos në këtë pallat,. që zoti na e fali jetën!” – tha një tjetër banor.
Ndërsa avokati i banorëve, Baftjar Rusi hodhi akuza të forta në adresë të institucioneve shtetërore.
“I bëj thirrje bashkisë Durrës, Institutit të Ndërtimit që këto aktet e kundërta me ekspertët privatë që kanë konsumuar elementët e veprës penale të bërjes së ekspertimit të rremë që parashikohet në Kodin Penal tonin t’i shohin me kujdes. Të ndalojnë urgjentisht çdo lloj lëvizje të tenderimit dhe të përcaktimit të subjekteve që do të riforcojnë këto pallate”,- tha avokati.
Pallati “Desla” tek Fusha e Rërës është një ndër godinat me dëmet më të mëdha nga tërmeti I 26 nëntorit 2019. Për riforcimin e tij, bashkia Durrës ka përcaktuar shifrën rreth 115 milionë lekë të reja.





